Ish-i dërguari i ish-presidentit amerikan, Donald Trump për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Richard Grenell ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti duke thënë se po krijon kaos në veri për të larguar vëmendjen e popullit nga politikat e tij të dështuara në ekonomi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Grenell u shpreh se Kurti ka thyer në mënyrë të njëanshme Marrëveshjen e Brukselit dhe Marrëveshjen e Uashingtonit.
Grenell i bëri thirrje Departamentit të Shtetit që të reagojë më ashpër ndaj Kurtit.
“Kryeministri i Kosovës Albin Kurti po krijon në mënyrë të njëanshme kaos në veri dhe po përpiqet qartë të largojë vëmendjen e popullit të Kosovës nga politika e tij katastrofike ekonomike. Deklarata e ambasadorëve të Quintit për shtyrjen e zgjedhjeve është reaktive, e ngadaltë dhe e dobët.
Kurti ka thyer në mënyrë të njëanshme Marrëveshjen e Brukselit dhe Marrëveshjen e Uashingtonit. Ai ka hedhur poshtë çdo ide amerikane që i është paraqitur. Departamenti Amerikan i Shtetit duhet të bëhet më i ashpër me të”, shkroi ndër të tjera Grenell në Twitter.
Kosovo PM @albinkurti is creating unilateral chaos in the North and clearly trying to distract the people of Kosovo from his disastrous economic policies.
The Quint Ambassadors’ statement on the postponement of elections is reactive, slow and weak.
— Richard Grenell (@RichardGrenell) December 10, 2022
Serbët lokalë në veri të Kosovës ngritën barrikada më 10 dhjetor, në shenjë kundërshtimi lidhur me arrestimin e Dejan Pantiçit, ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës.
Autoritetet në Kosovë thanë se ai kishte organizuar “sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri më 6 dhjetor.