Lewis Hamilton me Mercedes fitoi sot në mbrëmje garën e Çmimit të Madh të Arabisë Saudite, zhvilluar në pistën qytetase të Jeda, gara e parafundit e këtij sezonit në Formula 1. Një garë e çmendur, e ndalur dy herë (2 herë u valëvit flamuri i kuq) për shkak të aksidenteve, ndërkohë që disa herë ka ndërhyrë edhe “makina virutale e sigurisë”.
Falë këtij triumfi, piloti britanik barazon me pikë në renditje Max Verstappen me Red Bull, sot i dyti, që edhe një herë nuk ishte në gjendje të fitojë (mban kreun pasi ka më shumë fitore se Hamilton). Në një garë ku Verstappen ishte shpesh protagonist, ku u penalizua edhe me 5 sekonda për një dalje nga pista. Madje ai pati edhe një kontakt me rivalin britanik.
I treti u klasifikua Valtteri Bottas me makinën tjetër Mercedes, që parakaloi në metrat e fundit Esteban Ocon me Alpine (i katërti). Ky sukses i makinës gjermane e afron atë me titullin kampion për konstruktorë, ndërkohë që piloti tjetër i Red Bull, Sergio Perez, e mbylli garën para kohe. Zhgënjen Ferrari, në vendet 7-8 me Leclerc e Sainz.
Gara e sotme do të mbahet mend për incidentet e shumta në pistë dhe për polemikat që patën Mercedes e Red Bull me komisarët e garës për atë që ndodhte në pistë. Gjithsesi, për sa i përket titullit kampion për pilotë, ai do të vendoset në garën e fundit, në pistën e Yas Marina, në Abu Dhabi, ku pritet një tjetër sfidë e fortë mes Hamilton e Verstappen.
🏁 TOP TEN (LAP 50/50) 🏁
Hamilton
Verstappen
Bottas
Ocon
Ricciardo
Gasly
Leclerc
Sainz
Giovinazzi
Norris#SaudiArabianGP 🇸🇦 #F1 pic.twitter.com/6wXq0nRZWY— Formula 1 (@F1) December 5, 2021