Gjatë gjithë periudhës 30-vjeçare të pluralizmit shqiptar pas tiranisë komuniste më mizore të Europës lindore, partia që pretendoi më së shumti të përfaqësojë seriozisht në politikën e vendit të djathtën, konservatoren dhe nacionalisten, sigurisht ka qenë Partia Demokratike.
Do të radhiten në historinë e saj plot arritje e merita që lidhen veçanërisht me implementimin e shpejtë dhe me reforma të thella të sistemit kapitalist, menjëherë pas përmbysjes së madhe.
Duke filluar me rivendosjen e legjislacionit për respektimin e lirisë ekonomike, mbrojtjes së pronësisë private dhe të shoqërisë demokratike me ekonomi e tregti të lirë e konkurruese, sikurse edhe hovin që nisi me zhvillimet infrastrukturore e projektet për transformimin e vendit bashkë me sukseset në fushën e integrimit në Perëndim me futjen në NATO, liberalizim vizash dhe deri në hedhjen e hapave për asocim e anëtarësim në Europën e Bashkuar.
Kundërshtarët e vetëquajtur të majtë, por që mund të vlerësohen më korrektësisht si trashëgimtarë të ish-elitës së Partisë Komunistë para viteve ‘90 (për saktësi e Punës) i veshin edhe gabime e faje të tendencave diktatoriale apo autarkike në drejtimin e vendit, veçanërisht të lidhura me udhëheqësin karizmatik dhe emblematik të PD, Sali Berishës.
Gjatë këtyre tridhjetë viteve histori, ka pasur edhe kjo forcë e djathtë politike momentet e saj të vështira, që e kanë rrudhur e dobësuar. Sidoqoftë kurrë nuk ka qenë në dyshim ekzistenca e saj.
Por sot, ja ku ndodhemi aty. Jemi në një moment veçanërisht kritik e kur është në lojë ekzistenca e saj si PD, si e vetmja parti që ka pasur mbështetjen e të djathtëve dhe popullit konservator në Shqipëri, dhe ka qenë shpresa e njëkohësisht mbrojtësja e tyre.
Përballja dhe pozicionimet e Liderit historik dhe Kryetarit aktual janë të tilla që nuk lënë shumë dyshime për përfundimin. Gjuha e retorika e përdorur në komunikim me mediat apo simpatizantët prej vetë atyre, por edhe fjalori i rënduar e në mjaft raste tejet agresiv i përdorur nga dishepujt përkatës apo partizanët e secilit kamp në rrjetet sociale, nuk i fshehin dallimet e mëdha në qëndrime mes palëve dhe meritë personale të akumuluara ndër vite.
Dy muaj përplasje, konfrontim mediatik deri edhe përbaltje të kundërshtarit të krijojnë përshtypjen se rivendosja e urave të komunikimit mes palëve është absolutisht e pamundur. Askush nuk e fsheh objektivin, kapjen e Partisë, vulës dhe selisë së saj.
Kjo çarje ndodh në një moment aspak të favorshëm për të djathtën shqiptare, që vjen pas tetë vitesh opozite dhe nën një pushtet të një mazhorancë arrogante, aspak kooperative me opozitën në përgjithësi, për të mos thënë në kufijtë e totalitarizmit, të imponuar nga një autokrat, në krye të një regjimi të ngjashëm me delirantët Erdogan apo Putin, rrethuar nga të ashtuquajtur oligarkë e mbështetur nga klane okulte e preferenciale.
Ajo që bën përshtypje në këtë dramë, e cila luhet në kampin opozitar është pikërisht papërgjegjshmëria dhe mospërmbajtja para një situate të tillë në vend, e ku duket që të dyja palët, për hir të arritjes së një synimi imediat, të kapjes së siglës aq të lakmuar të PD (të gjithë e vlerësojnë këtë simbol si magnetin e votave të djathta) janë gati të çojnë drejt humnerës gjithë simpatizantët, mbështetësit dhe votuesit e kampit të djathtë, të cilët pas kësaj shfaqje të ulët për kontrollin e selisë blu, vështirë se do të besojnë që ndokush prej këtyre kampeve, apo më saktë klaneve për nga shfaqja, ka në vëmendje interesin e kësaj pjese të shoqërisë shqiptare.
Ngjan paksa e çuditshme që në një organizatë politike me histori jo të vogël e me një përmasë të tillë të mos ketë individë, të cilët në respekt të krahut konservator që përfaqësojnë, të ngrihen në nivelin e dramaticitetit të momentit e të jenë në gjendje të negociojnë një marrëveshje që të relativizonte ndarjet dhe të mobilizonte vëmendjen e interesin për të konsumuar energji në mënyrë efikase, për të shkurtuar ditët e regjimit aktual.
Është e pamundur që brenda kësaj partie që numëron qindra mijë anëtarë të mos ketë zëra që të tentojnë të zbusin dramaticitetin e shfaqur në publik. Duhet të ketë aty ca mendje të ftohta që, duke vlerësuar se palët janë larg për të qëndruar brenda një formacioni unik politik, do tëe eksploronin qoftë edhe idenë e mundësisë së bashkekzistencës së dy partive të djathta.
Të dyja së bashku do të mund të mobilizojnë në konkurrencë me njëra-tjetrën një elektorat më të gjerë dhe do të krijonin kësisoj masën që do të ndryshonte raportin e forcave në elektorat në favor të së djathtës e konservatoreve me taksa të ulëta e shtet të vogël. Por kjo do të kërkonte sidoqoftë nga secila palë një moderim të gjuhës për të lënë hapësirën e koalicionit të mundshëm në të ardhmen dhe jo acarimit publik pa kufi e pa një minimum përmbajtje. Ndoshta mund të jetë një ëndërr për Shqipërinë ku jetojmë, por opsionet janë të kufizuara, për më tepër që duket sikur palët po nxitojnë ta mbyllin shpejt këtë ndarje definitive, madje edhe me sherr të madh.
Në se nuk do ketë mekanizma zjarrfikëse negociuese, përçarja përfundimtare e opozitës do të jetë e pashmangshme e kjo do të demoralizonte popullin e djathtë e më gjerë, edhe shpirtin e lirë e demokrat te gjithë qytetarët në vend, duke instaluar gjerësisht tek ata pesimizmin për një rikthim të shpejtë të demokratëve në drejtimin e vendit e ndoshta edhe duke vrarë çdo shpresë për ardhjen ndonjëherë të së djathtës në pushtet në Shqipëri.
Kjo do të ishte dhurata më e bukur qe do t’i bëhej këtë Vit të Ri autokratit par ekselencë, Sulltanit sikurse thirret në rrethin e ngushtë, i cili as mund ta kish imagjinuar një shans të tillë për të qëndruar afatgjatë e i pashqetësuar në fronin e tij me selinë në Bulevardin e famshëm të Tiranës.
Mbetet të urojmë që Zoti do të vërë dorë mbi Shqipërinë e do të gjejë rrugën për të shpëtuar këtë vend nga degradimi apo zhbërja, sikurse ka ndodhur jo rrallë./Revista Monitor