Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka dhe drejtuesit e klubeve sportive në vend, kërkojnë që qeveria shqiptare të rikthejë sërish bastet sportive.
Gjatë një takimi të organizuar këtë të martë me përfaqësues të Ligës Profesioniste të Futbollit dhe presidentët e klubeve të futbollit në vend, Duka u shpreh se bastet sportive ekzistojnë, ndonëse janë të ndaluar me ligj.
Sipas tij, 70% e të ardhurave nga ky aktivitet duhet t’i kalojë sportit për investime, kryesisht në futboll.
“Bastet sportive në Shqipëri janë ndaluar me ligj, por realisht bastet sportive janë ndaluar vetëm për të arkëtuar buxheti i shtetit, por ato ekzistojnë në çdo pikë të vendit. Kështu që të bëjmë një kërkesë qoftë për ligjin e sponsorizimeve dhe bastet sportive, parlamentit dhe qeverisë shqiptare që t’i rikthejë ato dhe 70% e të ardhurave nga ky aktivitet t’i kalojë sportit dhe një pjesë kryesore futbollit.
Ky është një burim i rëndësishëm financimi për akademitë, klubet, por edhe infrastrukturën sportive. Nëse edhe ju jeni dakord, t’i drejtojmë në emër të komunitetit të futbollit një kërkesë qeverisë dhe parlamentit shqiptar për ndryshimet ligjore për ligjin e sponsorizimeve dhe basteve sportive dhe për ndonjë gjë tjetër që ju mendoni”, deklaroi Presidenti Duka.