Borusia Dortmund do të heqë sërish dorë nga Erling Haland, këtë herë edhe më gjatë se herën e fundit. Çfarë do të bëjë skuadra verdhezi e cila tani duhet të mendojë se si të përballojë kampionatin dhe Championsin pa yllin e skuadrës.
21-vjeçari erdhi i dëmtuar nga ndeshja e fundit në Champions të luajtur në Amsterdam ndaj Ajaksit. Norvegjezi iu afrua dy herë golit duke goditur dhe shtyllën, por pa sukses.
Dy ditë pas ndeshjes, trajneri i skuadrës gjermane, Marko Rose, dha lajmin e keq për tifozët.
“Erling do të mungojë disa javë, problemet sipër vitheve ja kanë bërë të vështirë jetën. Ai duhet të pushojë dhe më pas të kryejë seanca rehabilituese.
Më vjen keq pasi kemi humbur një lojtar të rëndësishëm në sulm. Shpresoj që mungesa e tij të ndikojë shumë pak në ndeshjen e radhës, atë ndaj Bilefeldit. Tani Malen dhe Rojs duhet të japin më shumë për të na dhënë pikët që na duhen për të qenë në vendet e para të renditjes”, tha trajneri i verdhezinjve.