Derbi i Mançesterit vishet përsëri me ngjyrat blu. Mançester Siti mundi pastër me shifrat 2-0 Mançester Junajtid në “Old Traford” duke vendosur edhe më shumë nën trysni Ole Gunar Solskjaer.
Mançester Junajtid kërkonte t’u kthente entuziazmin tifozëve në kampionat, pasi kishte humbur në fushën e vet edhe dy javë më parë përballë Liverpulit. Por që në fillim të ndeshjes u duk qartësisht se si do të shkonte sfida, pasi Kanselo harkoi në zonë topin dhe Beili gaboi gjithçka duke e dërguar sferën në rrjetën e portës së tij. Junajtid rriti trysninë me kalimin e minutave dhe kishte një mundësi të mirë me Ronaldon, por Ederson grushtoi.
Por ishte De Gea heroi i vërtetë i “djajve të kuq”, duke bërë pritje të njëpasnjëshme për të larguar rrezikun nga katërkëndori, pas gjuajtjeve të Gabriel Zhezus, De Bryjn apo edhe Lindelof i cili rrezikoi autogolin e dytë. Por edhe gardiani pat një moment pasigurie, duke mos kontrolluar gjuajtjen e Bernardo Silva i cili dyfishoi shifrat para fundit të pjesës së parë.
Junajtid u mundua të rriste trysninë në pjesën e dytë, por çdo gjë ishte shumë më e lehtë për t’u administruar nga Siti, që kontrolloi lojën dhe iu afrua edhe golit të tretë me anë të Foden i cili goditi shtyllën. Kështu, ndeshja u mbyll me shifrat 2-0 dhe konfirmon Sitin si pretendent, e Junajtid në krizë rezultatesh që rrezikojnë gjithnjë e më shumë pankinën e Solskjaer.