Delegatët e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike kanë vendosur shkarkimin kryetarin Lulzim Basha. Pas procesit të hedhjes së votës me votimit të fshehtë rezultoi se 4446 delegatë votuan pro shkarkimit të Bashës. Belind Këlliçi tha se nga 4934 delegatë të pranishëm votuan gjithsej 4491 delegatë, prej të cilëve 36 votuan kundër shkarkimit.
“U vendos që të votohej me votim të fshehtë për shkarkimin e kryetarit të partisë Lulzim Basha për shkelje të rëndë të statutit të PD, përvetësim të kompetencave dhe organeve qendrore të PD si dhe dëmtim të rëndë të interesave politike dhe elektorale të saj ju bëjmë dije se pas përfundimit të procesit të votimit, Sekretariati Teknik pasi ka mbledhur të gjithë procesverbalet nga Komisionet e Votimit dhe pasi kemi bërë rakordimet mbi procesverbalet rezultati rezulton si më poshtë:
Delegatë prezentë në momentin e çeljes së votimit kanë qenë 4934. Nga këta delegatë pjesëmarrës në votim, pra delegatë që kanë votuar janë 4491 delegatë. Nga këto 4491 delegatë, pro shkarkimit të kryetarit të PD kanë votuar 4446 delegatë. Kundër kanë votuar 36 delegatë dhe 9 delegatë e kanë nxjerrë fletën të pavlefshme. Ky është rezultati zyrtar i procesit të votimit”, tha Këlliçi.
Këlliçi tha se Kuvendi Kombëtar do të qëndrojë i mbledhur deri më 22 Mars, ditë kur është njoftuar të mbahet Kuvendi i radhës. Deri në atë ditë drejtimin dhe riorganizimin e partisë do ta marrë në dorë Komisioni i Rithemelimit.
“Rikthej në vëmendje që Kuvendi do të qëndrojë i mbledhur deri në datë 22 Mars sikur e kemi thënë dhe do të njoftoheni nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit”, tha Këlliçi.
Delegatët vendosën që të votojnë me votim të fshehtë shkarkimin e Bashës për thyerje të rënda të statutit të PD për marrje të kompetencave.
Ky vendim tashmë pritet që të ratifikohet me një referendum më datën 18 Dhjetor në të gjitha degët e PD. Delegatët votuan po ashtu për shkarkimin e nënkryetarëve të PD-së, Sekretarit të Përgjithshëm dhe Kryesisë së Partisë.
Po ashtu u vendos krijimi i një komisioni të përkohshëm për rithemelimin që do të përbëhet nga 29 anëtarë. Ky komision do të ketë kompetenca deri në Kuvendin e 22 Marsit që do të votojë rishikimin e statutit dhe zgjedhjen e organeve të reja të Partisë Demokratike.
Ndërkohë, Lulzim Basha ka thirrur mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike