Gazetari Ferdinand Dervishi ka bërë një deklaratë të fortë në emisionin “Real Story” në News24, teksa ka folur për grabitjen me dhunë të biznesmenit Namik Çangu, një ditë më parë në Nikël të Fushë Krujës.
Dervishi është shprehur se në Krujë ndodhet një fshat, të cilin ai e ka vizituar edhe vetë, ku 70% e banorëve janë arrestuar të paktën një herë për drogë, dhe ku shumica e ngjarjeve të rënda që ndodhin në Tiranë, autorët ikin drejt asaj zone.
Ferdinand Dervishi: ”Kam qenë vetë në atje në një fshat në Krujë, ku 70% e fshatit ishin të paktën një herë të arrestuar për kultivim droge. Di që vërtet ka shumë, ndodhin gjëra në Tiranë, ikën në atë drejtim, bëhen vrasje në Tiranë, iket sërish në atë drejtim. Ka një kapje të strukturave të shtetit.”
Më tej, gazetari Dervishi ka komentuar edhe lëvizjet e kryepolicit të ri, Gledis Nano, duke thënë se ai zhgënjeu me emërimet e reja, pasi nuk pati emra të rinj apo “burra që nuk i tremben krimit”.
Ferdinand Dervishi: ”Gledis Nano sa erdhi, bëri rokadë në drejtoritë e policive. Për mendimin tim bëhen dy lloj lëvizjesh, kush e ka mendjen për punë dhe kush e ka për lëvizje propagandistike, dhe kjo është propagandistike. Mua përvoja më ka treguar se nga krimi nuk tremben ata që janë burra të vërtetë në jetë, që janë kryesisht nga veriu apo që kanë nja 50 nipa pas. Edhe Nano këtë duhet të bënte, të merrte thikën e kirurgut dhe të bënte ndarjen, kush është i fortë dhe që nuk i trembet krimit, që ta çonte në Elbasan, psh. Këtë s’e bëri dhe tani jemi në momentin ku 6 persona i futen tjetrit në shtëpi.”