Teksa është konfirmuar prania e variantit të ri të koronavirusit, shumë vende po shtrëngojnë rregullat e tyre të udhëtimit.
Mbretëria e Bashkuar, Singapori dhe Japonia janë ndër ata që nxitojnë në masa më të rrepta karantine dhe të ndalojnë fluturimet nga Afrika e Jugut dhe vendet fqinje. Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi të premten vendosjen e kufizimeve të reja të udhëtimit mbi variantin e ri Covid-19 B.1.1.529.
“OBSH rekomandon që vendet të vazhdojnë të zbatojnë kufizimet e udhëtimit duke marrë në konsideratë rrezikun, në përputhje me rekomandimet e përkohshme të komitetit të nëntë të urgjencës. Dhe është e rëndësishme të punojmë së bashku me vendet e prekura për të luftuar këtë variant dhe për të kuptuar më shumë rreth tij, në mënyrë që ne të dimë se si të veprojmë”, u tha gazetarëve në Gjenevë zëdhënësi Christian Lindmeier.
Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, po propozon që e gjithë BE-ja të vendosë “frenën e urgjencës” dhe të ndalojë fluturimet nga rajoni.
Unioni tashmë po përpiqet të përballet me valët e reja të virusit dhe disa vende kanë ri-vendosur bllokime dhe kufizime.
Sipas OBSH, deri më tani janë raportuar më pak se 100 sekuenca të mostrave. Rastet janë konfirmuar kryesisht në Afrikën e Jugut, por janë zbuluar edhe në Hong Kong, Izrael dhe Botsvanë.
Republika Çeke do të ndalojë hyrjen e kujtdo që ka kaluar më shumë se 12 orë në ato vende që nga e shtuna.
Gjermania, e cila aktualisht po kalon një valë të katërt të infeksioneve për shkak të variantit Delta, do të lejojë vetëm gjermanët të fluturojnë në Gjermani nga Afrika e Jugut që nga e premtja mbrëma, tha një burim i ministrisë së Shëndetësisë i cituar nga agjencia e lajmeve Reuters.
Edhe kryeministri izraelit e ka cilësuar gjendjen të jashtëzakonshme dhe ka deklaruar se do të marrë masa të njëhershme.