Kombëtarja shqiptare ka nisur që prej 26 majit grumbullimin dhe përgatitjet për dy sfidat zyrtare ndaj Islandës dhe Izraelit, të vlefshme për Ligën e Kombeve si dhe miqësoren e 13 qershorit ndaj Estonisë.
Ndeshja e parë është ajo me Islandën në 6 qershor në transfertë dhe ndeshjen me Izraelin më 10 qershor.
Ditën e sotme, Sokol Cikalleshi dhe Nedim Bajrami kanë dalë në një konferencë për media ku kanë folur në lidhje me këto ndeshje dhe se çfarë objektivash ka ekipi në këtë edicion të ri të Ligës së Kombeve.
Cikalleshi, bomberi i Kombëtares shqiptare u shpreh se objektivi i skuadrës është sigurisht vendi i parë, ndërsa analizoi edhe dy rivalët e grupit, Islandën dhe Izraelin. Cikalleshi theksoi se pika më e fortë e skuadrës shqiptare është grupi dhe harmonia.
“Është një grup ku ne do të tentojmë më të mirën, por duhet të kemi parasysh që kemi dy ekipe, që nuk janë me shumë diferencë nga ne. Kemi një fat të vogël që Rusia nuk do të jetë pjesë e grupit dhe do të doja që të përqëndrohemi te ndeshja e parë sepse fillimi i mbarë është gjysma e punës. Islanda ka një grup fizikisht shumë të fortë dhe do jetë një duel fizik në Islandë, ku nëse do tentojmë vendin e parë, duhet të dalim me rezultat pozitiv. Por, besoj se jemi gati”, tha ai.