Pas humbjes me PSG në “Parc de Princes” në Grupin A të Champions League, Mançester Siti rikthehet fuqishëm, duke mposhtur Klub Bryzhin që mbante vendin e dytë.
Përballja nuk kishte histori, teksa “Citizens” dominuan totalisht dhe fituan me rezultatin 5-1 ku shënuan që nga mbrojtësit si Kançelo, Uolker deri te Mahrez me “dopietë”. Me këtë sukses, skuadra e Guardiolës ngjitet në krye, duke pritur ndeshjen tjetër mes PSG e Lajpcig.
Ndërkohë në duelin e grupit C, Beshiktashi pësoi një humbje të thellë 1-4 në shtëpi përballë Sportingut të Lisbonës me këta të fundit që marrin edhe suksesin e parë, ndoshta për të shpresuar për një vend në Europa League si e treta e Grupit.