Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas caktimit të gjyqtares e cila do të shqyrtojë në Apel, ankimin e kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj për mos njohjen e statutit të dalë nga Kuvendi i Dhjetorit të vitit 2021.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha shprehet se deklarata e bërë nga Gjykata e Apelit 2 orë para hedhjes së shortit për caktimin e gjyqtares, tregon ndërhyrjen politike të kryeministrit Edi Rama.
Gjithashtu, ish-kryeministri akuzon edhe ambasadoren amerikane Yuri Kim për ndërhyrje antikushtetuese.
Sipas tij, Gjykata e Tiranës nuk i ka dhënë PD-së një kopje të vendimit të gjykatëses Blerina Muça, e cila e ktheu çështjen për shqyrtim.
Berisha thotë se kjo është në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit.
Elona Toro do të jetë gjyqtarja e cila do të shqyrtojë ankimin e bërë nga Enkelejd Alibeaj. Toro u caktua për shqyrtimin e kësaj çështjeje, nga hedhja e shortit këtë të martë.
Shorti përcaktoi se trupa gjykuese do përbëhet edhe nga gjyqtaret Edlira Petri dhe Genti Shala.