Nga: Lorenc Vangjeli
Nëse Shqipëria do të ishte ende nën komunizëm, me të gjitha gjasat, Sali Berisha do të ishte anëtar i byrosë politike të PPSH-së prej 25 vjetësh, kurse Edi Rama do të ishte në vitin e 17-të të burgut. Ilir Meta do të ishte drejtor i ndërmarrjes artistike Migjeni, kurse Lulzim Basha, ende pa i dorëzuar asnjë fije floku thinjave, do të ishte zëvendës i Pandi Majkos, sekretar i komitetit të rinisë, pavarësisht se ishte thinjur që në rini.
Një pjesë e madhe e anëtarëve të kabinetit qeveritar do të ishin mësues shkollash tetëvjeçare në pritje për t’u transferuar në fshatra afër rrugës, që të ktheheshin me kamionët e kromit në Tiranë, njëherë në muaj për t’u larë me ujë të ngrohtë, kurse një numër mbresëlënës deputetësh të djeshëm e të sotëm, do të ishin në burg për vjedhje të pronës socialiste dhe kontrabandë. Secili nga ta, të lidhur në marrëdhënie interesi edhe pa u njohur fare me njëri-tjetrin janë, bashkë dhe veç e veç, fat për tjetrin, një fat që është tërësisht i ndryshëm nga sa parashkruante dikur për ta, teritali monoton i komunizmit.
Sot Sali Berisha, non grata nga SHBA, pretendon se është antikomunist; Edi Rama merr dekoratë amerikane dhe drejton qeverinë me partinë e trashëguar nga ish-komunistët; Ilir Meta planifikon jetën përtej presidencës, pa dyshuar se hakmarrja nuk mund ta çojë më larg se dashuria; Lulzim Basha, pavarësisht armiqësisë me të gjithë, ende nuk ka vendosur të thinjet, kurse Pandi që u thinj në rini pa kaluar më parë në adoleshencë, tani në moshë të pjekur, po jeton adoleshencën e një jete që nuk e ka njohur kurrë më parë.
Gabriel Escobar, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, do të vijë në Tiranë pak orë përpara Foltores së Stadiumit Air Albania, për të diskutuar edhe “…mbi vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjet për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor”. Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA, me emrin e të cilit kanë nisur të bëjnë lojëra fjalësh në Tiranë, e di se shefin e tij në Uashington, e kanë paditur për shpifje në Gjykatën e Parisit sepse Berisha pretendon se nuk ka prova që ai është edhe i korruptuar, edhe minues i demokracisë. Por ndeshja juridike në Paris është vetëm çfarë duket. Pak më thellë ka edhe më shumë, ka edhe shumë më keq dhe ky është realisht një problem që trondit. Sovranistët e rilindur, konservatorët e rinj, neokomunistët me kravata mëndafshi dhe gjithëfarë të marrësh “gjeopolitikë” të tjerë që nuk kanë munguar kurrë në Tiranë, të bindur se janë qendra e botës dhe me mendësinë e “Zërit të Popullit” të viteve 70-të, kanë nisur të brohorasin për revolucion antibanane në Tiranë.
Lideri i tyre Berisha, që një pjesë e duan, një pjesë e urrejnë ende për inerci, premton edhe shumë më shumë beteja kundër amerikanëve, fiks duke tundur flamurin amerikan. Fati deri më tani e ka penguar të bëjë lëvizjet e tij të tjera, por është çështje kohe. Ai dhe Faltorja e tij, nëse Parisi vonon apo mohon shqyrtimin e padisë, nuk do ta quajë këtë gjë fundin, por vetëm një fillim të ri, sipas avazit të vjetër që e këndojnë sot sovranistët e rinj, “Sa kohë që kam Shijakun dhe Peqinin…!”: Berisha i ka të gjitha mundësitë që ta paditë në gjykatën e Kurbinit sekretarin Blinken. Hezitimit të mundshëm të gjykatësit ish-laçian, ai mund t’i përgjigjet se shteti shqiptar, siç është i detyruar të mbrojë pavarësinë dhe tërësinë territoriale, duhet të mbrojë edhe “…dinjitetin e njeriut…”. Kështu urdhëron kushtetuta!