Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka vijuar me akuzat e tij ndaj kryeministrit Edi Rama, për projektin për Portin e ri turistik të Durrësit.
Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha nënvizoi se Partia Demokratike po përgatit materialin për ta dërguar këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese.
Ndër të tjera, Berisha u shpreh se do të krijohet edhe një Komision Hetimor Parlamentar.
“Mega afera e Portit të Durrësit, është sot mega afera më e madhe në Evropë. Partia Demokratike ka përgatitur materialin për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese dhe tjetrin për të krijuar me urgjencë Komision Hetimor. Edi Rama përpiqet të shtypë opozitën në parlament, por nuk do t’ia arrijë kurrë. Opozita, sot është më e fuqishme se kurrë.
Ai gabon rëndë kur shan si halabak ordiner, duke treguar se çfarë edukate familjare ka marrë. Duke treguar se çfarë mendësie ka biri i xhelatit për kundërshtarin politik. Por e ka të kotë, do përballesh me opozitën, duke përballesh me popullin”, theksoi ai.