Komisioni Evropian nënshkroi të martën një marrëveshje me kompaninë farmaceutike daneze, “Bavarian Nordic” për mbi 110,000 doza vaksinash për të luftuar shpërthimin e vazhdueshëm të lisë së majmunëve.
Ndryshe nga vaksinat e COVID-19, të cilat u kontraktuan nga Komisioni Evropian, por paguheshin individualisht nga vendet e BE-së, kontrata mbi vaksinat për linë e majmunëve do të financohet fillimisht nga buxheti i përbashkët i BE-së.
Kjo është hera e parë që buxheti i BE-së po përdoret për të blerë vaksina në mënyrë që të mund të shpërndahen sa më shpejt në vendet anëtare.
Që nga 18 maji I këtij viti, rreth 900 raste të lisë së majmunëve janë raportuar në 19 vende të BE-së, në Norvegji dhe Islandë.
Dërgesat e para të dozave do të fillojnë në fund të qershorit, në ato vende që kanë më shumë nevojë.