Kryetari i Grupit Paramentar të Partisë, Taulant Balla i ka kërkuar Strukturës së Posaçme (SPAK) që të hetojë ish-kryeministrin dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha pasi ky i fundit është i shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara.
Në një deklaratë për mediat, Balla u shpreh se SPAK duhet t’i dërgojë një kërkesë zyrtare institucioneve ligjzbatuesve të SHBA-ve, të cilat kanë arritur në këtë konkluzion.
“Një kërkesë e kahershme që lidhet me shpalljen e shtetasit Sali Berisha si një person i përfshirë në korrupsion i nivelit të lartë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe fakti që SHBA-të këtë vendim të tyre e kanë bazuar mbi prova të qarta, unë besoj që SPAK i duhet t’i japë një përgjigje kësaj çështjeje dhe natyrshëm duhet të fillojë hetimet, duke e shoqëruar edhe me kërkesën zyrtare që duhet t’i dërgojë institucioneve ligjzbatuesve të SHBA-ve, të cilat kanë arritur në këtë konkluzion.
Është e papranueshme që për një shtet partner, strategjitk të Shqipërisë, Sali Berisha është i shpallur person i përfshirë në korrupsion të nivelit të lartë, në Shqipëri kjo nuk shoqërohet me hetime më të thella”, theksoi ai.
Një ditë më parë, Kreu i Strukturës së Posaçme (SPAK), Arben Kraja deklaroi se institucioni që ai drejton, po heton dy çështje, atë të Gërdecit dhe privatizimit të kompleksit “Partizani”.
Për “RTSH”, Kraja u shpreh se nuk mund të japë të dhëna të hollësishme në lidhje me hetimet që po kryhen.