Mbrëmjen e djeshme, një avion rus ka shkelur hapësirën ajrore suedeze. Kjo është bërë e ditur nga Ministria e Mbrojtjes në Suedi.
Shkelja ndodhi ndërkohë që Suedia po vlerëson, mundësinë e aplikimit për t’u anëtarësuar në NATO, pas pushtimit rus të Ukrainës.
“Është krejtësisht e papranueshme të shkelësh hapësirën ajrore suedeze”, tha ministri i Mbrojtjes Peter Hultqvist .
“Ky veprim është joprofesional dhe shumë i papërshtatshëm duke pasur parasysh situatën e përgjithshme të sigurisë. Sovraniteti suedez duhet të respektohet gjithmonë, gjithmonë”.
Katër avionë luftarakë rusë shkelën hapësirën ajrore suedeze mbi Detin Baltik në një episod të ngjashëm në fillim të marsit.
Ndërkohë lufta në Ukrainë vijon. Në Odessa, Kharkiv, Luhansk dhe Mairupol ka pasur shpërthime dhe luftime të dhunshme.
Moska po përdor tone luftarake, dhe sipas një mediave britanike, Vladimir Putin më 9 maj do të shpallë luftë totale.
Dhe ndërsa “lufta e fjalëve” midis Rusisë nga njëra anë, Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj nga ana tjetër vazhdon e pandërprerë.
Qeveria ukrainase përsërit se e vetmja mënyrë për të rivendosur paqen është rivendosja e sovranitetit të Kievit mbi të gjithë territorin e vendit.