Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur të lërë të pandryshuar masën e sigurisë “arrest në burg” për ish-ministrin Lefter Koka.
Ditën e djeshme avokatët e ish-ministrit të Mjedisit në një prononcim për mediat u shprehen se masa e dytë e sigurisë arrest me burg nuk qëndron pasi është për të njëjtin fakt penal.
Lefter Koka ka kërkuar masë më të butë sigurie me pretendimin se ka respektuar ligjin dhe nuk ka kryer asnjë shkelje gjatë dhënies me koncension për ndërtimin e inceneratorit.
Ankimimi për masë më të butë është bërë me pretendimin se ai nuk ka përgjegjësi për shpronësimin, pasi dokumentacioni është përgatitur nga ekspertët e ministrisë së Mjedisit.
Nga ana tjetër SPAK pretendon se Koka ka përfituar përmes ryshfetit 1.2 milionë euro për ndërtimin e inceneratorit të Fierit, e për këtë shkalla e parë ka caktuar masën sigurisë “arrest me burg”.
Koka akuzohet edhe për inceneratorin e Elbasanit. Sipas prokurorisë ish-ministri ka marrë ryshfet 3.7 milionë euro për ndërtimin e tij.