Analisti Artur Zheji komentoi zhvillimet brenda Partisë Demokratike dhe atë që pritet të ndodhë më 5 dhe 8 janar, kur ish-kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar se do të marrë me forcë zyrat e selisë blu.
I ftiar në emisionin ”Pikat mbi i ” në ”News24”, Zheji u shpreh se Berisha nuk mund t’i marrë zyrat e PD me forcë, pa dëshirën e kryedemokratit Lulzim Basha.
Pyetje: Çfarë pritet të ndodhë më 5 apo 8 janar?
Artur Zheji: Basha është kryetari i PD, i kontestuar nga Berisha dhe njerëzit e tij. Ai flet për demokratët që të mos i frikësohen, flet për ndërkombëtarët që të kuptojnë se aty ka një situatë kritike, por ai e përballon, flet për kundërshtarët që nuk trembet. Për kundërshtarët e Bashës do të ishte mirë që ai të hapte rrugën. Por Basha thotë që do të qëndrojë, le të vijë 5 apo 8 janari, pra thotë nuk devijoj, nuk jap dorëheqjen, nuk ua bëj të lehtë, nuk më largon dot, përndryshe do kalosh vijën e kuqe. Dhe kur kalon vijën e kuqe edhe Berisha do të jetë në siklet.
Do të shtoja që befasia, që ishte procesi i “Foltores”, që filloi si një gjë e thjeshtë, mori formën e një orteku, u rrit në mënyrë eksponenciale. Berisha, me gjithë moshën, ishte në top formë dhe arriti të bind një pjesë të konsiderueshme demokratëve që ishte viktimë e një konspiracioni të trekëndëshit Soros-Basha-Rama, si anti-tezë e trekëndëshit të Bermudës, që thotë Basha. Pra, sipas tij, Basha peng i Ramës, Rama peng i Soros dhe Soros armiku i tij
Befasi nuk ka, orteku pro-berishian arriti kulmin e vet më 11 dhjetor dhe prodhoi dy gjëra, një Kongres që nuk i pamë asnjëherë numrat e saktë, dhe një referendum që sërish nuk ja pamë numrat e saktë. Fakt është që kemi dy palë, i janë drejtuar gjykatës, pra kanë kërkuar një arbitër jashtë vetes. Kjo tregon se ndoshta Basha ka të drejtë dhe as më 5, as më 8, ka shumë mundësi të mos ndodhin përplasje, të cilave ju druhen shqiptarët. Absolutisht që Basha nuk i liron zyrat, aq më tepër do t’i blindojë ato.