Friday, November 22, 2024

Kjo nuk është një protestë anti perëndim

Nga: Andi Bushati

Impakti që protesta xhenuine kundër rritjes së çmimeve ka pasur edhe tek një pjesë e madhe e asaj shumice të heshtur, që ndonëse nuk ka kurajon të derdhet në rrugë është e zemëruar me padrejtësinë, e ka vënë edhe njëherë në hall propagandën e qeverisë. Një nga truqet që po përdorin spin doctors-at e saj është ai i Shqipërisë si një vend i integruar në botën globale, e cila nuk mund të mos preket nga efektet e një lufte, që po trondit rendin botëror. Nisur nga kjo premisë ata po reken të arsyetojnë se edhe shqiptarët duhet të durojnë disa efekte anësore prej sanksioneve që bota e lirë ka vendosur kundër regjimit agresor të Putinit. 

Në pamje të parë të duket se ky lloj arsyetimi bën sens. A jemi ne të gatshëm të ecim pak më tepër në këmbë, që dikush mos masakrohet në Donbas? A dimë të sakrifikojmë duke e paguar më shtrenjtë naftën apo qoftë edhe bukën, për të mbrojtur atë sistem vlerash te i cili pretendojmë se bëjmë pjesë? 

Por, shtrimi i problemit në këtë mënyrë është një dredhi e ulët. Ai kërkon të heqë një vijë djallëzore ndarëse mes një pakice “të ndritur”, të gatshme për të “sakrifikuar” dhe një shumice të pakënaqur, e cila nuk shikon dot përtej prapanicës së saj. Në këtë këndvështrim, përfaqësuesit e zëshëm të protestës vizatohen si personazhe që po shftytëzojnë mllefin qorr të atyre që mendojnë vetëm për xhepin e vet, pa qenë në gjende të kuptojnë avantazhet indirekte që marrin nga rreshtimi ynë strategjik përkrah demokracive liberale të planetit. Pra thjeshtë ata demonizohen  si personazhe që i kundërvihen lidhjes sonë të pazgjithshme, në të mirë dhe në të keq, me perëndimin. Këtë masturbim intelektual, me aftësinë e vet për ta vulgarizuar politikisht, arrin ta kthejë në gjellë qensh, Edi Rama, duke i paraqitur protestat si anti amerikane, pasi ato organizohen dhe mbështeten nga kundërshtarët e tij të shpallur dhe të pashpallur non grata.

Në fakt, ajo që po ndodh në Tiranë dhe në disa qytete të tjera të vendit, nuk ka asnjë lidhje, as me mungesën tonë të  solidaritietit në rafsh global, as me mos solidarizimin ndaj qëndrimeve të perëndimit.

Gjithkush e kupton, aq më tepër ata që pretendojnë se mbështesin një qeveri “të majtë”, se solidariteti është i pamundur pa barazi. Dhe në fakt, thelbi i këtyre protestave nuk ka të bëjë me mungesën e të parës, por me përdhosjen e së dytës. Shqipëtarët nuk janë të revoltuar se po preket diçka nga kursimet e tyre, në mënyrë që të shpëtohen më shumë jetë në Ukrainë, por për faktin se ata janë të pabarabartë në këtë sakrificë. Atyre nuk i dhemb ajo që u kërkon qeveria, pra që mos shkojnë ta blejnë dhe bukën me veturë, ata i zemëron fakti që, ndërsa më të varfërve u kërkohet të shtrëngojnë rripin, as përgjysmimi i dividentit, as heqja e taksës së jahteve, as paratë për koncesionarët dhe as pagesat për bosët në arrati të incenerarorëve nuk preken.

Ata dhe mund ta kuptonin sakrificën, nëse Edi Rama do i qëndronte deklaratave të kohës së opozitës për sovranitetin energjitik dhe nuk do mbetej peng i importursve të hidrokarbureve. Ata mund të kishin toleruar nëse thjesht do të aplikohej me ndershmëri ligji për të pasur 90 ditë rezerva në depot tona, pavarësisht nga kostoja financiare që një masë e tillë do të kishte mbi oligarkët e naftës. Ata ndoshta do të heshnin nëse qeveria nuk do ta detyronte autoritetin e konkurencës që ta fshihte situatën oligopol të tregtuesve të kabruranteve, pasojë e së cilë ishte dhe fakti që ne qemë vendi ku çmimet u rritën më me shpejtësi se kudo tjetër. 

Edi Rama është krejtësisht i ndërgjegjshëm për arsyet reale të kësaj proteste dhe prandaj ai flet sot për tregëtarë nafte që kanë mundësi të “lajnë mekatet” apo për ngritjen e mekanizmave kontrollues që i kishte me detyrim ti vinte në punë prej vitesh. Por, në anën tjetër, me ndihmën e propogandistve të vet ai po shpërndan fabulën e shëmtuar të një manifestimi kundër vlerave perendimore. 

Në fakt, ai nuk është aspak i tillë, sepse shqiptarët nuk kanë probleme as me solidaritetin ndaj ukrainasve, as me afishimin pro vendimeve të vështira që u imponohen nga BE apo ShBA. Halli i tyre është më bazik. Ai lidhet me pabarazinë dhe grabitjen që i ka imponuar qeveria e tyre. Kjo protestë ka të bëjë drejtpërdrejt me të, më shumë se me hallin e non grata-ve që duan ti thyejnë hundët Amerikës, apo me verbërinë e atyre që janë të pa aftë për të menduar gjeopolitikiisht. Ajo është pjellë e zemërimit ndaj Ramës dhe jo produkt i kundërshtarëve të tij./Lapsi.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

LAJME TE TJERA

Më SHUMë