Pika e kthesës ishte në fillim të vitit 2020 kur Putini modifikon Kushtetutën dhe e bën veten në mënyrë efektive president të përjetshëm: ai mund të shtrembërojë rregullat sipas dëshirës dhe kjo ndryshon psikologjinë e tij. Mënyra se si ai komunikon me kundërshtarët e tij të brendshëm dhe të jashtëm, e bën atë të ndihet i gjithëfuqishëm”. Putin e identifikon fatin e Rusisë me të tijin. Historia është kthyer në një obsesion për të.
Obsesione, makthe dhe mendime të fshehta: “Që kur ndryshoi Kushtetutën dhe u bë president i përjetshëm, psikologjia e tij ka ndryshuar”
Paolo Valentino, Corriere della Sera
Natën që ra Muri i Berlinit, më 9 nëntor 1989, nënkoloneli Vladimir Putin, kreu i stacionit të KGB-së në Dresden, thirri garnizonin sovjetik të vendosur në Potsdam duke kërkuar ndihmë dhe duke kërkuar ndërhyrje të armatosur.
Një turmë e zemëruar kishte rrethuar konsullatën e BRSS dhe kërcënoi se do ta sulmonte. Përgjigja ishte negative: “Nuk kemi autorizim nga Moska: qendra hesht!”.
Ajo fjali shënoi në jetën e tij përgjithmonë.
Paraliza e pushtetit dhe kaosi i protestuesve kanë qenë makthi i tij që atëherë.
Siç tha ai në 2000, vitin kur u zgjodh president i Rusisë, “në ato rrethana funksionon vetëm një gjë: duhet të godasësh i pari dhe të godasësh aq fort, sa kundërshtari yt të mos jetë më në gjendje të ngrihet”.
“Ne do të kishim shmangur shumë probleme – shtoi ai – nëse nuk do të ishim larguar nga Europa Lindore kaq shpejt”.
Tragjedia më e madhe, sipas Putinit, ishte rënia e mëvonshme e Bashkimit Sovjetik, kur pavarësia e republikave, veçanërisht e atyre sllave “i bëri rusët grupin etnik më të madh në botë që ndahej me kufij shtetërorë”.
Ndoshta është e dobishme t’i kthehemi atij episodi të largët për udhëtimin tonë në mendjen e Carit, për t’u përpjekur të kuptojmë arsyet e thella që e shtynë atë të urdhërojë operacionin më të madh ushtarak në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Dhe mbi të gjitha të kuptojmë se sa ekuilibër dhe arsye ka mbetur ende tek ai.
Nëse ky është sfondi, është e qartë se Putini vendosi, tridhjetë vjet më vonë, të veprojë në emër të unitetit të popullit rus.
Më pak lineare janë proceset që e bindën liderin e Kremlinit për të urdhëruar apokalipsin dhe për të nisur një luftë shkatërruese, të cilën ndoshta do ta fitojë, por rrezikon të kthehet në një fitore si e Pirros, duke e përndjekur Rusinë me pasoja shumë të rënda politike, ekonomike dhe strategjike.
Sido që të jetë rezultati i betejës ukrainase, është evidente se në vitet e ardhshme një intermarium i ri, një vijë ndarëse nga deti në det, do të zbresë nga Balltiku në Detin e Zi, duke e ndarë përsëri kontinentin midis dy blloqeve armike.
Sipas shkrimtarit rus Viktor Erofeev, “në mendjen e Vladimir Putinit u formua qartë një realitet paralel, i pakuptueshëm për Ukrainën, Amerikën dhe Evropën”.
“Është një botë në të cilën një bandë neo-nazistësh sundon në Kiev, duke u armatosur me kontributet amerikane dhe duke kërcënuar ushtarakisht Rusinë. Në këtë vizion, Ukraina duhet të çmilitarizohet, ushtria e saj të likuidohet, vendi të tredhet disi”. Kështu argumenton Erofeev, i cili shton se ky realitet alternativ është formuar te Putini në harkun e njëzet viteve, ato në të cilat ai ishte president, dhe se bazohet në katër elementë bazë: “Fëmijëria e varfër, rinia e djemve të rrugës, KGB-ja dhe perandoria sovjetike”.
Në realitetin e dytë Putinian, gjithçka është një betejë për t’u fituar dhe gjithçka thërret për hakmarrje për statusin e humbur në disfatën e Luftës së Ftohtë dhe poshtërimin e pësuar që atëherë.
Edhe Nikolai Swanidse, ish-anëtar i Këshillit të të Drejtave të Njeriut dhe miku i vjetër i Putinit, përpara se bëhej kundërshtar i tij ndan të njëjtën logjikë.
“Si mund të kenë një ndikim pozitiv, njëzet vjet pushtet i pakontrolluar dhe carist? “.
Sipas Swanidse, “gjuha përdoret nga Putini për të fshehur mendimet e tij, interesante nuk është ajo që thotë, por ajo që bën”.
Por ishte përvoja e pandemisë, që e mbyllui për dy vjet në një kështjellë gjithnjë e më të ndarë nga bota, ajo që theksoi aspektet e saj mesianike dhe bindjen për të përmbushur një mision.
Por së pari ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm, sipas politologes Tatjana Stanowaja: “Pika e kthesës ishte në fillim të vitit 2020 kur Putini modifikon Kushtetutën dhe e bën veten në mënyrë efektive president të përjetshëm: ai mund të shtrembërojë rregullat sipas dëshirës dhe kjo ndryshon psikologjinë e tij.
Mënyra se si ai komunikon me kundërshtarët e tij të brendshëm dhe të jashtëm, e bën atë të ndihet i gjithëfuqishëm”. Putin e identifikon fatin e Rusisë me të tijin. Historia është kthyer në një obsesion për të.
“Nuk do të duhet të ndodhë më që një president amerikan, siç ndodhi me Barack Obaman, t’i lejojë vetes ta përcaktojë Rusinë si ‘një fuqi rajonale’”, tha ai pak kohë më parë.
Hapja e krizës në Ukrainë, thotë historiani Reinhard Krumm, “është katarsisi gjeopolitik për të riorganizuar marrëdhëniet e Rusisë me botën”, pavarësisht nga çmimi. Putin tani mendon si një monark absolut dhe e identifikon fatin e Rusisë me atë të personit të tij. Dhe ai adopton një narrativë gjithnjë e më të paarsyeshme: “Ai e konsideron Rusinë si një entitet metafizik, një qenie të përjetshme që për arsye historike është superiore ndaj një entiteti artificial të ndërtuar nga Lenini, që është Ukraina”, shpjegon Kurt Kister, ish-drejtor i Süddeutsche Zeitung. Problemi qëndron se është e vështirë, ndoshta e pamundur, të negociosh me dikë që mendon në terma metafizikë.
Kushdo që ka shkuar në Moskë javët e fundit është përballur me një lider agresiv, emocional dhe mbi të gjitha bartës të një dimensioni paralel dhe larg realitetit.
Ai nuk mund të ankohet më se nuk e marrin seriozisht, Vladimir Putin. Por siç shkruante vetë në një dedikim për regjisorin Nikita Mikhalkov, nën një foto të tij në aktin e pagesës së një faturë në restorant: “Duhet të paguash për gjithçka në jetë, Nikita”.