Kjo e Hënë shënoi ditën e seancës së parë parlamentare për vitin 2024. Edhe pse seanca nisi me tingujt e Himnit të Flamurit, deputetët e opozitës ashtu siç kishin paralajmëruar më herët, bllokuan foltoren me pankarta në duar.
Teksa kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla nisi të lexojë pikat e rendit të ditës, kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazmend Bardhi kundërshtoi zhvillimin e seancës në kushtet kur Garda është e pranishme. Ndërkohë kolegë të tij krijonin zhurmë duke mos lejuar Presidentin Bajram Begaj të marrë fjalën.
Ishte parashikuar që Kreu i Shtetit të mbante fjalën e tij në nisje të sesionit të ri parlamentar për të dhënë mesazhe për dialog mes palëve politike. Prej situatës së shkaktuar nga deputetët e PD-së, Begaj ka njoftuar se do e mbajë fjalën e tij në ambientet e Presidencës në orën 18:00.
Të pranishëm në sallën e Kuvendit ishin edhe dy ambasadorë të huaj, ai gjerman dhe britanik.