Ajo që ndodhi mbrëmë në selinë e PD-së ishte një teatër mjaft i njohur në skenën e telekomanduar politiko-mediatike të Tiranës. Njerëz që flisnin sipas një plani të caktuar dhe mesazhe të dërguara “sindikatës” së reporterëve të PD-së për të furnizuar emisionet e darkës, ku i bëhej gjyqi Lulzim Bashës nga “prokurorët”-oligarkë të mediave.
Këto skena i kemi parë shumë vite më parë në mbledhjet e gjata të PS-së të Fatos Nanos, ku debatet ishin kthyer në një telenovelë, e ku shantazhi përdorej si mjet për poste të rëndësishme politike e ekzekutive.
Nuk kish si ndodhte ndryshe edhe mbrëmë: një grup karrieristësh të PD-së, siç ndodh rëndom me natyrë orientale të shqiptarit cinik që sulmon atëherë kur je më i dobët, bombarduan kryetarin e PD-së pas rezultatit të dobët të 6 marsit.
A thua se të gjithë të tjerët që kërkuan largimin e Lulzim Bashës, nuk kanë qenë aty, por ja behën si papritur. Në fakt ata nuk kanë qenë. Gjithçka u pa qartë natën e 6 marsit-të dielën, kur në selinë e PD-së ishte vetëm Lulzim Basha, ‘tek pullë’. E gjithë kupola drejtuese e PD-së e kishte braktisur. Pse?
Sepse realisht, ata, pra kupola, ashtu si edhe të gjitha strukturat aktuale të Partisë Demokratike në 6 bashkitë ku u zhvilluan zgjedhjet e telekomanduara nga Ilir Meta, ishin thjesht mekanizma të planit djallëzor të çiftit non-grata. E si “papritur” i kërkuan dorëheqjen Lulzim Bashës, duke i bërë një presion të egër. “Rastësisht”, ky presion qëlloi thuajse në të njëjtën kohë live me thirrjen e Ajatollahut- Non Grata në televizionin e familjes se, “8 janari do të përsëritet”. E madje, Ajatollahu ka pezulluar edhe 22 marsin, ku Komisioni i Rithemelimit do të zgjidhte kryetarin e ri, pasi synon të rimarrë selinë e Partisë Demokratike.
E gjitha kjo rikthen çështjen në themel, që realisht beteja e nisur nga Lulzim Basha më 9 shtator nuk ka përfunduar, e si e tillë nuk mund të lihet në mes pas dështimit të një procesi, i cili realisht i ka dhënë mundësinë PD-së për një katharsis të përmasave të thella. Një rithemelim të të gjithë opozitës e të djathtës shqiptare, duke larguar të gjithë ‘qelbin’ e korrupsionit dhe krimit që drejtohen nga Sali Berisha dhe Ilir Meta.
Struktura e kalbur klanore dhe tribale që rezultoi se ishte besnike ndaj Ajatollahut, krejt thjesht mund të vijojë shërbimin ndaj idhullit të tyre në një parti të përbashkët me Ilir Metën, siç dolën edhe në zgjedhjet e pjesshme.
Por Partia Demokratike, si një forcë politike properëndimore nuk ka përse të bëhet strehë e një njeriu që tashmë e ka përjashtuar edhe ‘de jure’. Basha ka të drejtë se ka vetëm dy rrugë: ose qëndrimi në një linjë që është nisur më 9 shtator, ose dorëzimi i PD-së tek Sali Berisha dhe kthimi i saj në bunker për tu mbrojtur nga ‘Non Grata’.
Ribashkimi me njerëzit e Berishës që të shpëtojë partia? Po politika nuk është aspak amalgamë mekanike, por një qëndresë vlerash e parimesh. Nuk funksionon aspak që në një parti të qëndrojnë ata që thërrasin “Dumbabën” e ata që kërkojnë një forcë të re politike pro-perëndimore. Këtë në fakt Lulzim Basha duhet ta thotë menjëherë edhe të nisë aksionin e katharsisit në të djathtën shqiptare.
Një parti nuk është thjesht një grup degësh, por shpirti politik që bashkon njerëz që kanë vision për një të ardhme. E që janë shumë më shumë se ata vota që u dhanë për njerëzit e Sali Berishës dhe Ilir Metës. Një pjesë e tyre, janë ende të trullosur nga orteku ndaj Sali Berishës. Megjithatë, ka një shumicë të madhe të heshtur që e kërkon një opozitë vlerash të djathta, konservatore e properëndimore. Kush do të rrijë me strukturat e Sali Berishës, le të rrijë. Vullneti i lirë është thelbi i çdo zhvillimi, ndaj askush nuk mund të bëjë presion. Detyrimet e opozitës përpara shqiptarëve janë më të mëdha se paktet ditore të Lulzim Bashës me Grida Dumën dhe Ervin Saljanin.
Natyrisht që futja e PD-së në një proces riorganizimi e zgjedhjesh të brendshme është një zgjidhje, madje mjaft e mirë, që do të çojë në një zgjedhje të re të liderit të partisë. Por ama, dilema është se nëse kandidati si kryetari i ri konkurron me tezën e rikthimit të Sali Berishës, duke hyrë në përplasje me SHBA, atëherë thjesht i kanë dhënë një bunker politik ‘Non Grata’-s, siç dhe i kanë dhënë një parti Ilir Metës, që siç thotë edhe Monika Kryemadhi: “atij i rri ngushtë LSI-ja”.
Lulzim Basha, do të duhet ta çojë betejën e tij kundër “Trekëndëshit të Bermudës” deri në fund, qoftë edhe nëse nuk do të jetë më kryetar. Por natyrisht, kjo nuk duhet të bëhet me strukturat aktuale të PD-së, që u shpërthiqën në stuhinë e parë të 6 marsit, por me të gjitha faktorët e së djathtës dhe botës opozitare në vend. ‘Stan me lepuj’ si të tremburit e mbrëmshëm, apo me përbindsha me damkë ndërkombëtare, Edi Rama rri në pushtet më shumë se Putini.