Gazetari i njohur, Artur Zheji deklaroi se ish-kryeministri Sali Berisha ka si qëllim rimarrjen e Partisë Demokratike, për ta patur si mburojë ndaj sulmeve amerikane, tashmë që është shpallur ”non grata”.
Deklarata e Zhejit u bë ditën e sotme në emisionin ”Pikat mbi i” në ”News24”. Sipas tij, kjo lëvizje është e dëmshme për Partinë Demokratike, dhe se kjo forcë politike ka nevojë për njerëz të rinj.
Artur Zheji: ”Për perceptimin që unë kam krijuar nga beteja politike që Berisha po zhvillon pas vendimit për ta nxjerrë nga grupi parlamentar, qëllimi i tij është shprehur në mënyrë fragmentare. Në këtë mozaik, është kjo, ai thotë që ta çojmë Bashën andej nga erdhi, ka shkretuar Partinë Demokratike nga asetet kryesore. Të gjitha këto janë një gjyq që Berisha po organizon ndaj Bashës, që kanë qëllim final paralizimin e Bashës dhe marrjen në kontroll të partisë.
E gjithë beteja e doktor Berishës, nuk është një betejë për PD, por për ta marrë atë. Këtu nuk është problemi të ikin të dy, sepse kongresi u mblodh para 2 muajsh, u përmbys kupa e zotit Berisha. Ai kërkon një kongres tjetër, për ndërtimin e një statuti të ri, sepse Berisha kërkon që PD të jetë mburoja e tij politike ndaj sulmeve amerikane. Kjo vendos në situatë të trazuar partinë. Ka nevojë për një rifreskim.”