Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të shtunën iu drejtua ligjvënësve amerikanë, të cilëve u kërkoi që Shtetet e Bashkuara të dërgojnë më shumë avionë për ushtrinë e tij dhe të ndërprenë importet e naftës rus.
Zelensky nisi adresimin e tij përmes video-lidhjes duke u thënë ligjvënësve se kjo mund të jetë hera e fundit që ata e shohin të gjallë, raporton AP.
Ai sërish kërkoi që NATO duhet të krijojë një zonë të ndalim-fluturimit mbi Ukrainën ose të dërgojë më shumë avionë luftëtarë, në mënyrë që Ukraina të mund ta mbrojë veten më mirë.
Zelensky ka kërkuar një zonë të ndalim-fluturimit për ditë me radhë, por NATO e ka refuzuar këtë kërkesë duke argumentuar se një gjë e tillë do të provokonte një luftë të gjerë me Rusinë.
“Presidenti Zelensky bëri një lutje të dëshpëruar”, tha lideri i shumicës në Senat, Chuck Schumer.
Ai tha se presidenti ukrainas dëshiron që SHBA-ja të ndërmjetësojë transferimin e avionëve nga aleatët në Evropën Lindore.
Schumer premtoi se do të bënte gjithçka që ky ndërmjetësim të ndodhte.
SHBA-ja po e shqyrton mundësinë që të dërgojë avionë amerikanë të tipit F-16 në ish-shtetet e Bashkimit Sovjetik që gjenden në Evropën Lindore e që janë anëtarë të NATO-s. Në këmbim, këto shtete do t’i dërgonin Ukrainës avionët e tyre MiG të prodhuara në kohën sovjetike, e të cilat, pilotët ukrainas janë të trajnuar që t’i fluturojnë.
Megjithatë, duket se ka një problem logjistik me dërgimin e avionëve F-16 në Poloni dhe tek aleatët e tjerë në Evropën Lindore, për shkak të bllokadave në prodhim. Nëse këto shtete marrin avionët amerikanë, atëherë ato do t’ia dërgonin avionët Mig Ukrainës.
Megjithatë, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka lënë të kuptohet se dërgimi i avionëve po shqyrtohet, teksa ka biseduar me ministrin e Jashtëm ukrainas, Dymtro Kuleba në kufirin midis Polonisë dhe Ukrainës.
Kongresi amerikan ndërkaq është duke punuar në një pako të ndihmës ushtarake dhe humanitare për Ukrainën në vlerë prej 10 miliardë dollarëve. Schumer po ashtu besohet se i ka thënë Zelenskyt se ligjvënësit shpresojnë që kjo ndihmë të arrijë shumë shpejt në Ukrainë.
Ndërkaq, lideri i republikanëve në Senat, Mitch McConnell, e ka pyetur Zelenskyn se çfarë ndihme ushtarake i duhet shtetit të tij, ai ka thënë se dronët dhe avionët janë më të nevojshmit.
Gjatë kësaj bisede mes Zelenskyt dhe ligjvënësve amerikanë, presidenti ukrainas po ashtu ka kërkuar që të ketë ndalesa në importin e naftës ruse dhe kjo ide është mbështetur nga republikanët dhe demokratët, përfshirë edhe kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelsoi.
Ndërkaq, zyra e Zelenskyt tha se ai ka sugjeruar që SHBA-ja të shqyrtojë embargon për të gjitha produktet ruse.