Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski deklaroi se në qytetin e Severodonetsk po zhvillohet një betejë e ashpër kundër forcave ruse.
Sipas tij, fati i rajonit të Donbasit do të vendoset nga lufta që po zhvillohet në qytetin lindor, shkruan CNN.
“Kjo është një betejë shumë e ashpër, shumë e vështirë. Ndoshta një nga më të vështirat gjatë gjithë kësaj lufte. Në shumë mënyra, fati i Donbasit tonë po vendoset atje”, u shpreh presidenti.
Qyteti i afërt me Severodonetsk, Lysychansk është gjithashtu një objektiv i drejtpërdrejtë për artilerinë ruse.
I ndodhur më lart se Severodonetsk, kontrolli atje i jep ushtrisë dominim të të gjithë zonës. Por, pavarësisht bombardimeve të vazhdueshme, disa vendas ende refuzojnë të largohen.
“Ne punojmë gjithë jetën që të kemi një çati mbi kokë, prandaj ne nuk duam të shkojmë diku ku nuk do ta kemi çatinë tonë. Ka shumë njerëz në qytetin tonë që nuk u larguan, sepse ata punuan gjithë jetën për banesën e tyre”, theksoi një banor i Lysychansk.
Bombardime të reja ka patur edhe në rajonin verior të Kharkiv të Ukrainës. Pesë persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën. Sulmet dëmtuan shtëpi dhe një supermarket.
Ushtria ruse tha se kishte përdorur raketa me precizion të lartë për të goditur një fabrikë riparimi të blindave pranë qytetit.