Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë në rrjetet sociale pamje nga momenti i takimit me 3 përfaqësuese të banorëve që u preket banesa si pasojë e projektit tek “5 Maji”.
Kreu i qeverisë u tha atyre se aty do të bëhet një lagje e re që do të jetë një nga lagjet më të bukura të Tiranës. Rama u tha atyre se qeveria nuk po bën një prishje që të favorizojë njeri, por që të bërë një hapje që të zhvillohet projekti.
Duke iu drejtuar nënë Lizës, kryeministri tha se banorët që janë pa dokumente do të marrin shtëpi njësoj si ata që kanë përfituar nga tërmeti. Sa i përket periudhës së zhvillimit të projektit e deri në përfundim, Rama tha se do të marrin bonusin e qirasë.
Ndërkohë nga ana e banorëve ka pasur debate lidhur me faktin që do të trajtohen njësoj si me personat që përfituan nga tërmeti.
Edi Rama: Herë tjetër në kohëra tjera do të kishe dalë jashtë. 12 dhoma, nuk di si del llogaria, por ti do marrësh nga ne, shtëpi edhe për vete edhe për djemtë. Nëse të pëlqen, nëse nuk të pëlqen mos e merr. Nëse do të rrish në rrugë, rri. Nëse do të marrësh shtëpi do ta marrin të gjithë dhe të gjithë do ta marrin falas. Do marrësh shtëpinë si të takon njësoj si ata që janë prekur nga tërmeti.
Banorja: Tërmeti nuk ka rënë tek unë.
Edi Rama: Do të merrni shtëpi me kontratë njësoj si të tërmetit sepse nuk keni asnjë meritë të veçantë që të trajtoheni në mënyrë të veçantë. Ajo është pronë e popullit shqiptar ose e pronarit të tyre. Ne të njohim patjetër sepse duam të njohim pjesën e mundit, të djersës, e të tjerë. Juve jo vetëm që do merrni shtëpi, por me taksat e shqiptarëve juve do të merrni taksat e shqiptarëve. Kuptoni apo jo?
Nënë Liza: Nuk e kam me taksat e shqiptarëve. Më kanë ndihmuar djemtë dhe nuset e djemve. Pra ne duam të drejtën tonë. Ne i duam këto letra nga bashkia me noter, të firmosura, të vulosura.
Edi Rama: Ja t’ju them ça do merrni ju. Do keni një kontratë ku do merrni një shtëpi tek 5 Maji kur të ndërtohet.
Banorja: Kur do ndërtohet?
Edi Rama: Do ndërtohet kur të ndërtohet! Deri kur të mbarojë ndërtimi do jeni me bonus qiraje deri kur të mbarojë ndërtimin.