Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, në Soçi.
“Secili takim me presidentin e Federatës ruse, Vladimir Putin, ka rëndësi të jashtëzakonshme për shtetin tonë”, shkroi presidenti serb në llogarinë e tij në Instagram, krahas një videoje në të cilën shihej duke u përshëndetur me Putinin.
Vuçiq qëndron në Rusi për vizitë njëditëshe, (25 nëntor) dhe siç është paralajmëruar, takimi me Putinin po mbahet në katër sy.
Në prag të takimit, presidenti serb, Vuçiq, deklaroi që me presidentin e Rusisë do të bisedojë rreth temave kryesore politike, bashkëpunimit tregtar, si dhe për çmimin e gazit.
Vuçiq ka thënë se do ta lusë presidentin Putin dhe do të luftojë për çmim më të arsyeshëm të gazit, e që në Serbi aktualisht paguhet 270 dollarë për 1 mijë metra kub.
“Kam tremë të madhe, por edhe përgjegjësi të madhe nga biseda me Putinin, nuk e di nëse do të ketë mirëkuptim dhe do të miratojë çmim më të arsyeshëm të gazit”, tha Vuçiqi më 24 nëntor derisa u drejtohej gazetarëve.
Serbia në tërësi varet nga gazi rus. Marrëveshja me distributorin rus “Gazprom” do të skadojë në fund të vitit 2021, derisa në vazhdim janë negociatat për marrëveshje të re, e presidenti serb qysh më 15 tetor për transmetuesin publik serb kishte deklaruar që pala ruse propozoi çmim tri herë më të shtrenjtë krahasuar me atë aktual./REL