Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka nderuar zyrtarët serbë, të cilët u larguan nga institucionet e Kosovës.
Vuçiç nderoi me medalje ish-drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Policisë së Mitrovicës së Veriut, Nenad Gjuriç dhe shefin e Operacioneve Rajonale të kësaj drejtorie, Aleksandër Filipoviç, shkruan Euronews Serbia.
“Ju iu bindët vendit tuaj, edhe kur nuk jeni pajtuar me vendimet e tij, keni bërë atë që ju ka dashur zemra dhe jeni sjellë me nder, kur ju penguan të kryeni detyrën”, theksoi Vuçiç në Presidencën e Serbisë në Beograd.
Sipas tij, autoritetet në Kosovë, duke zbatuar vendimin për riregjistrimin e makinave, kanë dashur të shkaktojnë incidente dhe të poshtërojnë popullin serb.
Serbët në Kosovë vazhdojnë të dorëzojnë dorëheqjet e tyre në institucionet e Prishtinës, pas vendimit për targat.
Pas përfaqësuesve politikë, policëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve, sot dorëheqjet kanë dhënë edhe zyrtarët e lartë të komisioneve komunale zgjedhore.