Lideri historik i demokratëve, Sali Berisha foli për mediat në oborrin e Kuvendit, pasi drejtuesja e seancës, Ermonela Felaj nuk i dha fjalën.
Berisha tha se do kërkonte në seancë një rezolutë për të dënuar sjelljen e Edi Ramës ndaj gazetares së SYRI TV, Ambrozia Meta.
“I kërkoi gazetares burg informativ për 60 ditë për faktin e vetëm se e pyeti se si ndjehet që po krijohet një grup parlamentar në burg. Me shpirtin e tij të zi, ky person do të ishte i gatshëm që ta syrgjynoste në burgje jo 60 ditë, por 6 mijë ditë.
U bëj thirrje deputeteve që të miratohet një rezolute për të dënuar këtë akt mizogjinik dhe anadollak të Edi Ramës, që ka sjellje të papranueshme ndaj vajzave, ndaj zonjave dhe zonjushave që kryejnë detyrën. Zonja Felaj nuk më dha fjalën, ndaj u detyrova që të dal para jush për të dënuar aktin e turpshëm mizogjinik të Edi Ramës,” tha Berisha.
“Absurde dhe kundër rregullores ishte ndërhyrja e zonjës Felaj, se pasi e kuptoi që unë do t’ia përplasja Edi Ramës në fytyrë, ai ia mbathi. Zonja Felaj e kuptoi që unë do ta demaskoja atë para publikuat dhe dola këtu për të denoncuar aktin mizogjenik të Ramës ndaj gazetares Ambrozia Meta”.