Me urdhër të SPAK, oficerët e BKH-së kanë ushtruar kontroll në banesë e kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tek zona e “Kodrës së Diellit” në kryeqytet.
Kanë qenë 5 oficerë të BKH-së, që janë paraqitur rreth orës 08:00 në banesën e Veliaj me mandate kontrolli, por janë përballur me një situatë të pazakontë, pasi familjarë të tij, nuk kanë pranuar t’u hapin derën për kontroll. Vetëm pas mbi 1 orë pritje, oficerët e BKH janë futur për kontroll në banesën e kryebashkiakut ku ndodhen edhe aktualisht.
Kontrolli është ushtruar me vendim gjykate, i firmosur nga prokurori i SPAK, Ols Dado. Gjatë kontrollit, oficerët e BKH-së kanë sekuestruar telefonin e Ajola Xoxës, bashkëshortes së Erion Veliajt.
Ndërkohë që agjentët e BKH-së kanë shkuar në banesën e Erion Veliajt, mësohet se kryebashkiaku nuk ndodhet aty, pasi është në një vizitë dy ditore në Hamburg të Gjermanisë.