Presidenti amerikan Joe Biden deklaroi se SHBA i ka ofruar Koresë së Veriut vaksina kundër koronavirusit, për shkak të shpërthimit të virusit në vendin komunist.
Biden u shpreh se ende nuk ka marrë një përgjigje, nëse Koreja e Veriut do ta pranojë ndihmën e ofruar, shkruan BBC.
“Ne kemi ofruar vaksina, jo vetëm për Korenë e Veriut, por edhe për Kinën dhe ne jemi të përgatitur që ta bëjmë këtë menjëherë. Nuk kemi marrë asnjë përgjigje”, tha Biden gjatë një konference të përbashkët në Seul me presidentin e Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol.
Sipas mediave shtetërore në Korenë e Veriut, rreth 2.5 milion persona mund të jenë infektuar me Covid-19, teksa vendi ndodhet në karantinë.
Në fillimet e pandemisë, Koreja e Veriut ishte ndër vendet e pakta në botë që nuk raportoi asnjë rast me Covid dhe refuzoi ndihmat nga COVAX apo shteteve të tjera në lidhje me vaksinat.
Por, vetëm disa javë më parë, vendi komunist raportoi rastet dhe viktimat e para si pasojë e këtij virusit.