Thursday, November 21, 2024

Rama, Shansi i katërt për të zgjedhur me 84 vota Presidentin

Nga: Lorenc Vangjeli

Zgjedhja e presidentit të ri tashmë qartësisht përcakton se do të zgjidhet nga PS, pas djegies së tre raundeve të para për të pasur konsensus me opozitën. Përse palët shkuan drejt ndarjes? Përfaqësuesi i një grupimi deputetësh të PD-së, Enkelejd Alibeaj, bëri përgjegjëse mazhorancën për prishjen e marrëveshjes, sa qëndron ky pretendim?

Për emrin e presidentit të ri të Republikës, ka pasur një marrëveshje në tentativë dhe një negociatë, e cila në asnjë rast nuk ishte e tillë. Palët u ulën në tryezë për të identifikuar emrin e kreut të shtetit, por interesat e tyre në këtë process ishin të ndryshme dhe pothuaj pa asnjë përkitje. Socialistët, edhe pse i kanë votat edhe të vetëm, ishin të interesuar vetëm për procesin në formë, kurse demokratët e Alibeajt që nuk kishin votat e mjaftueshme, ishin të interesuar vetëm që të faktorizoheshin nëpërmjet procesit. Kjo ndarje mes palëve, shto këtu edhe mosbesimin e thellë dhe të ndërsjelltë mes tyre, do ta bënte të dështuar këtë histori që në krye të herës. Ishte qesharakërisht e dhembshme dhe e dhembshme përtej qesharakes, moria e pozave që merreshin në atë tryezë, në të cilën mungonte vendimmarrësi i vetëm në këtë proces. Edi Rama luajti formalisht korrekt. Ishte gjithashtu edhe politikisht korrekt, për synime që tejkalonin gjetjen e emnrit të presidentit dhe pikërisht kjo lloj “korrektësie” u keqkuptua nga pala tjetër.

Një shumicë brenda pakicës, në rastin më të mirë apo një pakicë brenda pakicës në rastin më të keq, nuk mund të imponohet. Nuk mund të vendosë kushte dhe nuk mund të formulojë ultimatume. I vetmi imponim që mund të bëhej nga ajo anë e ylberit shkataraq të politikës shqiptare, mund të vinte vetëm nëpërmjet seriozitetit dhe koherencës. Alibeaj & Co, tentuan të trokasin në dyert e procesit për të kyçur zyrat në partinë e tyre. Sa kohë që ata nuk ishin në gjendje të gjenin një formulë që të përfshinte gjithë opozitën në një front, e kishin të pamundur ta bënin këtë përballë frontit që Rama drejton me dorë të hekurt. Sa kohë që atyre u mungonte çdo kartë morale përballë maxhorancës, e kishin të pamundur të përdornin moralin si kusht për përjashtimin e saj nga e drejta për zgjedhjen e presidentit. Kështu që nuk pati gjëkundi afrim që të arsyetohet se pse u ndanë palët. Madje nuk pati as palë që të flitej për negociatë, në kuptimin serioz që i jep fjalori kësaj fjale.

Si rrallherë emri i kreut të shtetit mbetet sërish enigmë, edhe pse me gjasë mund të zgjidhet pas gjashtë ditësh, përse kjo mungesë trasparence?

Transparenca është emri i humbësit të madh të këtij procesi që tashmë ka hyrë në tre të pestat e rrugës së tij kushtetuese. Tashmë socialistët kanë vendosur që të shtunën, në katër qershor në mesditë, do të bëhen të ditur emrat e kandidatëve presidencialë dhe se gjashtë orë më vonë, do të kalohet në votim në parlament. Pra, janë vetëm gjashtë orë që shqiptarët të mësojnë emrin e njeriut që do ta kenë në krye të shtetit të tyre për pesë vjet. Tmerrësisht pak. Një kohë tmerrësisht e pamjaftueshme për të njohur dhe për t’u familjarizuar me emrin e kreut të shtetit dhe CV-në e tij.

Por ka edhe një anë tjetër medaljeje dhe kjo është edhe më e trishtuar. Në Tiranë, nëse ke bisht, ta presin, nëse nuk ke një të tillë në fund të kurrizit, ta venë. Kushdo që do të propozohet e të zgjidhet, do të kalojë orë ferri si i masakruar nga rrjetet sociale, do ta veshin e do ta zhveshin, do t’i japë mend çdo budalla dhe do ta quajë budalla kandidatin çdo i marrë që e shkruan shqipen me deri 24 shkronja.

Do të jetë një ushtrim i gjyqësisë anonime, në të cilin do të përfshihen edhe emra të përveçëm, nga ata që e dinë veten më të virgjër se Shën Mëria, më të zgjedhur se Jezu Krishti, më të drejtë se Muhameti dhe më të fortë se Herkuli. Kjo bërthamë e zhurmshme daullexhinjsh që e mbajnë veten për muzikantë të politikës, do të bëjnë daulle me lëkurët e kandidatëve dhe do të godasin aty pafund ritmin e tyre të marrëzisë. Dhe ky do të jetë pagëzimi i parë i presidentit të ri, i cili në një vend ku mungojnë ëngjëjt dhe pa mëkate janë vetëm ata që nuk kanë pasur mundësi që të bëjnë mëkate, nuk ka asnjë shans që të jetë as Zonja e Bekuar dhe as Biri i Zotit, as Shën Mëria dhe as Jezu Krishti. President ii ardhshëm nuk ka asnjë shans që të jetë as Muhamet dhe as Herkul në Tiranë.

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

LAJME TE TJERA

Më SHUMë