Qeveria shqiptare do të veprojë edhe me çmimet e ushqimeve për të frenuar rritjen e shkaktuar nga pasojat e luftës Rusi-Ukrainë.
Në një takim me përfaqësues të bizneseve furnizuese, Rama tha se qeveria do të ndërhyjë dhe do të krijohet një bord i përbashkët për të koordinuar çmimet e ushqimeve të shportës.
“Ajo që më ka shqetësuar nga i gjithë raportimi që kam marrë nga Ministria e Financave është se shumica ja hedh fajin pakicës, pakica shumicës për çmimet dhe për të mos pasur hedhje faji të njëri-tjetrit do të futemi dhe ne në këtë mes dhe do të krijojmë një bord të përbashkët për çmimet bazë të shportës.
Ky bord i përbashkët do të përbëhet nga përfaqësues të qeverisë dhe tuajit, të shumicës dhe të pakicës, dhe çmimet e ushqimeve bazë do të vendosen aty dhe askush nuk do të tolerohet të vendosë çmime të ndryshme nga çmimet e vendosur atyre dhe kush do të vendosë çmime do humbasë prodhimin do t’ja konfiskojmë komplet.
Jo më arbitraritet por me ligj dhe zakon do të kalojmë me akt normativ dhe gjithë prodhimi do të konfiskohet, nëse dikush do të lozë me çmimet jashtë asaj. Nuk është qëllimi të vendosim çmime arbitrare, por nuk i vendosim ne sipas dëshirës. Por këtë nuk e bëjmë dot, do të hyjmë aty që bashkë me ju të bëjmë transparencën e çmimit. Sa e ke marrë dhe sa do të shitet”, tha Rama.