Në ceremoninë e inaugurimit të 522 apartamenteve të reja në Laç të ndërtuara me financim nga qeveria turke pas tërmetit të 26 Nëntorit 2019, Kryeministri Edi Rama tregoi edhe një histori për premtimin që kishte dhënë Presidenti turk Erdogan.
Kur në kantierin e rindërtimit në Laç kishte nisur puna, vetë Turqia u godit nga një tërmet i fortë.
Por edhe pse pati dyshime se punimet në Laç do të ndërpriteshin, Rama thotë se ishte i bindur që kjo gjë nuk do të ndodhte. Dhe sipas tij kjo ndodhi për dy arsye.
“Gjatë kohës që sapo kishte filluar puna me mikun tonë ministrin e ngarkuar për këtë rindërtim, Muratin, në Turqi ra një tërmet. Të gjithë këtu u alarmuan se thanë tani ra tërmeti në shtëpinë e tij dhe Presidenti do harrojë rindërtimin këtu. Unë thashë i bindur që kjo nuk do ndodhi. Jo vetëm sepse Turqia i ka mundësitë që njëkohësisht t’i bëjë të dyja, por edhe nëse nuk do t’i kishte mundësitë Presidenti Erdogan nuk do ta linte punën për të mbajtur fjalën këtu që të shkonte të bënte punën atje.
Sepse e përsëris, Presidenti Erdogan jo vetëm e thotë, jo vetëm e mendon, por edhe e bën në realitet atë që solla këtu pak më parë si një nga porositë e Profetit. Nuk beson nëse nuk i dëshiron vëllait tënd të njëjtën gjë që i dëshiron vetes tënde. Do ta mbyll fjalimin me Servetin, i cili për mua është shëmbëlltyra e njeriut të punës. Dhe për më tepër Serveti e ka çuar vëllazërinë një hap më tutje. E ka tejkaluar edhe Presidentin. Sepse djalin e ka martuar me një shqiptare. Z.President shumë faleminderit”, deklaroi Kryeministri Rama