Presidenti rus, Vladimir Putin, i tha homologut të tij turk, Recep Tayyip Erdogan, se Moska është e gatshme të punojë me Ankaranë për të liruar portet ukrainase që ka bllokuar, teksa Kremlini po vazhdon pushtimin e Ukrainës.
Putin theksoi “gatishmërinë” e Rusisë “për të kontribuar për transitin e papenguar detar të mallrave në koordinim me partnerët turq”, citohet të ketë thënë Putini, teksa ai zhvilloi një bisedë telefonike me Erdoganin më 30 maj.
“Kjo vlen edhe për eksportet e drithërave nga portet ukrainase”, tha Putin, sipas Kremlinit.
Kremlini tha se dy liderët kanë diskutuar “për ofrimin e lundrimit të sigurt në Detin e Zi dhe Detin Azov” dhe për “eliminimin e kërcënimit nga minat në ujërat e tyre”.
Dhjetëra anije me mallra janë bllokuar në portet ukrainase të cilat janë të rrethuara nga forcat ruse, duke ndërprerë eksportin e grurit dhe produkteve të tjera nga Rusia dhe Ukraina. Këto dy shtete eksportojnë pothuajse 30 për qind të eksporteve të grurit në botë.
Komuniteti ndërkombëtar po i bën thirrje Rusisë që të zhbllokojë portet dhe të lejojë eksportin e drithërave ukrainase.
Gjatë një bisede telefonike javën e kaluar me presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz, Putin tha se Rusia është e gatshme të ndihmojë në gjetjen e mundësive që të mos pengohen eksportet e drithërave nga portet në Detin e Zi.