Nga Jetmira Delia Kaci
Tre ministra të Brendshëm janë dorëhequr dhe një është shkarkuar gjatë qeverisjes së Edi Ramës në Shqipëri, që prej vitit 2013.
Asnjëri prej tyre nuk ka arritur të çojë deri në fund mandatin në drejtimin e një prej ministrive më të rëndësishme.
Edi Rama është në krye të Qeverisë në Shqipëri tash e dhjetë vjet. Aktualisht, ai është në mandatin e tretë si kryeministër.
Dy ditë më parë, Rama shkarkoi nga detyra ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi, dhe në vend të tij ka propozuar Taulant Ballën, i cili është kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
Pasditen e 10 korrikut, presidenti shqiptar, Bajram Begaj, i dekretoi propozimet e kryeministrit Rama për shkarkimin e Çuçit dhe emërimin e Ballës. Dekretet pritet t’i kalojnë Kuvendit për miratim.
Ekspertët e fushës thonë se kjo ministri është konsideruar si “patate e nxehtë”, dhe se gjatë viteve ka pasur zhvillime të cilat kanë trandur vendin dhe kanë ndikuar në paqëndrueshmërinë e këtij institucioni.
Kush ishin dhe pse “shkuan” ministrat e Brendshëm?
Saimir Tahiri është ministri më jetëgjatë në krye të ministrisë së Brendshme në Qeverinë Rama. Megjithatë, ai nuk arriti që ta përmbyllë mandatin katërvjeçar.
Ai u emërua në krye të Ministrisë së Brendshme më 15 shtator të vitit 2013, kur socialistët u kthyen në pushtet pas tetë vjetësh në opozitë.
Tahiri dha dorëheqjen në mars të vitit 2017, tre muaj para se të mbyllte mandatin dhe të zhvilloheshin zgjedhjet e radhës parlamentare, të caktuara më 25 qershor 2017.
Ai dha dorëheqjen pas akuzave të shumta të opozitës për lidhje me grupe të ndryshme kriminale dhe abuzim me detyrën.
Në atë kohë, shumica parlamentare, (Partia Socialiste) në Këshillin e Mandateve votoi kundër dhënies së autorizimit për arrestimin e Saimir Tahiri. Prokuroria e Posaçme kundër korrupsionit në Shqipëri (SPAK) e akuzonte Tahirin për “përfshirje në trafik droge dhe në grup të strukturuar kriminal” dhe “për shpërdorim detyre”.
Ai u vu në pranga më 4 shkurt të vitit 2022. Gjykata e Apelit Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit e dënoi Tahirin me pesë vjet burgim.
Me gjykim të shkurtuar, dënimi u ul në tre vjet e katër muaj burgim.
Tahiri u dënua vetëm për veprën “Shpërdorim detyre” duke i “shpëtuar” akuzave për “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”.
Më 2 qershor të vitit 2023 ai u lirua me kusht dhe i ka mbetur pa shlyer edhe një vit e tetë muaj burgim.
Akuzat ndaj Tahirit për përfshirje “në trafik droge dhe grup të strukturuar” në media fillimisht i deklaroi ish-oficeri i lartë i policisë, Dritan Zagani. Ai kishte deklaruar për mediat se makina e ministrit ishte përdorur për trafik droge dhe se e gjithë udhëheqja e Ministrisë së Brendshme dhe e Policisë së Shtetit ishte në shërbim të trafikut të drogës.
Fatmir Xhafaj
Saimir Tahiri u pasua në detyrë nga Fatmir Xhafaj. Ai dha dorëheqjen nga ky post pas gati një viti prej emërimit të tij.
Opozita e akuzoi Xhafajn se ka qenë pjesë e ish-sigurimit të shtetit. Më pas, opozita e akuzoi për lidhje me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës, për shkak së sipas subjekteve opozitare, ai favorizoi vëllain e tij për t’i shpëtuar drejtësisë italiane, që e kishte dënuar me vendim të formës së prerë për trafik droge.
Pas publikimit të vendimit të gjykatës italiane nga opozita, Agron Xhafaj pranoi vullnetarisht të ikte në Itali për të vuajtur dënimin e marrë për një rast trafiku të vitit 2002. Dhe menjëherë më pas ministri Fatmir Xhafaj dha dorëheqjen.
Sandër Lleshaj
Në krye të Ministrisë së Brendshme, pas largimit të Xhafajt, u emërua gjenerali, Sandër Lleshaj, i cili deri atëherë kishte qenë këshilltar për sigurinë pranë kabinetit Rama. Ai dha dorëheqje vetëm pas dy vjetësh në krye të Ministrisë së Brendshme. Shkak u bënë protestat e shumta, pas ngjarjes që ndodhi mëngjesin e 8 dhjetorit të 2020, ku mbeti i vrarë nga një efektiv policie, Klodian Rasha, 25 vjeç.
Dorëheqja erdhi 48 orë pas protestave të shoqëruara me dhunë dhe përplasje me policinë në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit, gjatë të cilave policia përdori gaz lotsjellës, gjë për të cilën u kritikua ashpër nga opozita dhe opinioni.
Bledi Çuçi, ministri i vetëm i shkarkuar
Vendin e Sandër Lleshit e zuri Bledi Çuçi.
Tre paraardhësit e tij u detyruan të jepnin dorëheqjen, ndërsa Çuçi është i vetmi ministër i Brendshëm në Qeverinë Rama, që është shkarkuar nga detyra.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e shkarkoi Çuçin më datën 8 korrik, tre ditë pasi në media u publikua një video, ku dukeshin disa persona që sulmonin me shkopinj bejsbolli dy burra dhe i kërcënonin me armë.
Ngjarja ndodhi në një lokal në fshatin Borizanë të Fushë Krujës. Pjesë e personave të dyshuar për dhunë ishin edhe djali dhe dy vëllezërit e deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja.
Pas ngjarjes, kur ende nuk ishte publikuar video, policia e Krujës njoftoi se kishte shoqëruar vëllezërit e deputetit dhe më pas i kishte lënë të lirë. Pas publikimit të videos ku dukeshin të afërmit e deputetit me armë dhe duke sulmuar dy qytetarët, policia i shpalli ata në kërkim.
Banorët e Borizanës kanë deklaruar se kanë bërë të paktën 40 denoncime në policinë e Krujës, kundër pronarëve të guroreve, por kanë marrë kërcënime prej krerëve të policisë se do të arrestoheshin nëse do të tentonin të ndalonin aktivitetin e gruroreve.
Pak orë pas këtyre denoncimeve të banorëve në mediat vendase, kryeministri Edi Rama njoftoi me anë të një postimi në Twitter për shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, dhe emërimin në vend të tij të Taulant Ballës, aktualisht kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.