Ish-Kryeministri Sali Berisha ka dalë në mbështetje të banorëve të “5 Majit” në Tiranë të cilët protestojnë për shembjen e banesave të tyre.
Nga foltorja e Parlamentit, Berisha tha se në atë zonë ishin planifikuar për t’u ndërtuar objekte 7-katëshe, por projekti ka ndryshuar për t’u bërë 35-katëshe.
Për këtë, ish-Kryeministri Sali Berisha akuzon Kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e PD Lulzim Basha.
“Vetëdeklarimi është një mekanizëm i turpshëm mashtrimi që përdoret ndaj tyre të cilët narkoqeveria i trajton si armiq, sillet ndaj tyre duke dhunuar Kushtetutën, duke dhunuar të drejtën e posedimit.
Pse qeveria nuk ofron kontratë paraprake ndaj tyre? Sepse do të vjedhë. Një vjedhje e pangopur. Kanë qenë në plan për t’u ndërtuar ndërtesa 7-katëshe. Janë bërë 35-katëshe ndërtesat dhe prapë nuk ngopen së vjedhuri ndaj qytetarëve. Ky është një akt i turpshëm në të cilin oligarkë të kreut të meduzës dhe Lulzim bravës kanë bashkuar ryshfetin me qeveritarët”, u shpreh Sali Berisha.