Në Maqedoninë e Veriut raundi i dytë i votimeve për zgjedhjen e 44 kryetarëve të komunave po zhvillohet në atmosferë të qetë dhe probleme, bazuar në të dhënat e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ). Kryetari i Komisionit, Aleksandar Dashtevski, tha se deri në orën 13:00 në votime kanë dalë 24.87 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.
Pjesëmarrja më e lartë në votime është në komunën e Vevçanit në Strugë, 52.46 për qind ndërsa më e ulëta në Saraj të Shkupit, 10.46 për qind.
Në disa vendvotimet ka pasur probleme teknike që kryesisht kanë të bëjnë me votimin me sistemin e ri biometrik – identifikimin e votuesve përmes gjurmëve të gishtave, i njohur si “fingerprint”, por sipas kryetarit të KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski ato janë kapërcyer me kohë.
“Arsyet ku ka pasur ndërprerje kanë të bëjnë me mungesën e sinjalin për aktivizimin e aparatit biometrik. Në disa vendvotime kishte ndërprerje më shumë se një orë ndërsa votimi ka vazhduar me metodën e vjetër deri në vënien në përdorim të aparateve biometrik”, ka deklaruar Dashtevski.
Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se procesi zgjedhor në gjithë vendin po zhvillohet në atmosferë të qetë, pa incidente që do të prishin procesin e votimit.
Zëdhënësi i MPB-së, Toni Agellovski, ka bërë të ditur se deri në mesditë në gjithë vendin janë ndaluar tre persona, dy në Kërçovë dhe një Tetovë. Dy të parët janë ndaluar pasi njëri kishte grisur fletën e votimit ndërsa tjetri e kishte fotografuar derisa qytetari nga Tetova është ndaluar nga organet e rendit pasi kishte tentuar të votoj pa dokument identifikimi.
Beteja kryesore mes partive shqiptare zhvillohet në qytetin e Tetovës mes kandidatëve të BDI-së dhe Lëvizjes BESA, Teuta Arifi dhe Bilall Kasami.
Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, të drejtë vote në balotazh kanë 1.353, 990 qytetarë, të cilët këtë të drejtë mund ta realizojnë në 2,481 vendvotime.
Në raundin e dytë do të votohet në 44 komuna nga gjithsej 80 sa ka Maqedonia e Veriut, si dhe për kryetarin e Shkupit, që është njësi e veçantë e pushtetit lokal.
LSDM-ja garon në 30 komuna, VMRO DPMNE-ja në 25, BDI-ja në 13, Aleanca për Shqiptarët në 7, Lëvizja Besa në dy dhe në një komunë, kandidati i Partisë Demokratike Shqiptare.
Në rundin e parë, më 17 tetor janë zgjedhur 34 kryetarë të komunave, si dhe asambletë komunale të të gjitha 80 komunave.
Më së shumti komuna ka fituar opozita maqedonase që drejtohet nga VMRO DPMNE-ja, gjithsej 22. Lidhja Social-Semokrate (LSDM) e kryeministrit Zoran Zaev ka fituar në nëntë komuna, ndërsa në tri komuna Bashkimi Demokratik për Integrim./REL