“Kosova është një shtet i dashur për ne dhe për mua, pa qëllimin që ta sfidoj dikë, sepse unë nuk jam këtu që ta sfidoj Beogradin ose dikë të tretë. Por, Kosova është shtet i parashikueshëm, ku funksionon një demokraci mjaft vibrante dhe e gjallë”.
Kështu e ka nisur të enjten fjalimin e tij presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, në një konferencë për media të përbashkët në Prishtinë me nikoqiren e tij, presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Presidenti kroat ka thënë se iniciativa “Ballkani i Hapur” në rast se nuk përfshin edhe Kosovën si të barabartë, atëherë” do të jetë palidhje”.
Lidhur me këtë temë ai i është përgjigjur pyetjes së gazetarëve, duke thënë se Kroacia është vend i Bashkimit Evropian dhe kjo nismë nuk e prek në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Por, siç ka komentuar ai, fillimisht duhet ditur motivet e nismës së themeluar nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.