Çmimet e naftës kanë shënuar një tendencë të lehtë uljeje gjatë ditës së sotme, për herë të parë që kur filloi rritja e tyre një javë më parë.
Në pikat e tregtimit të Kastrati, operatori më i madh në vend i shumicës e pakicës, një litër naftë po tregtohet me 243 lekë, nga 249 lekë që ishte një ditë më parë.
Brenda një jave, karburanti në vend u rrit me 30%. Gjithsesi edhe pas uljes së fundit, çmimi i naftës mbetet 26.5% më i lartë se një javë më parë, kur ishte rreth 192 lekë.
Në bursat ndërkombëtare çmimet e naftës kanë zbritur në 113 dollarë për fuçi, pasi kaluan mbi 130 dollarë ditën e djeshme, pas lajmit se SHBA-të ndaluan importet e naftës nga Rusia. Por, deklarata e OPEC se do të rrisin prodhimin ka qetësuar tregjet, duke sjellë dhe rënien e naftës në nivelet e para fillimit të luftës.
Në tregun vendas, nafta u shtrenjtua në 192 lekë kur arriti mbi 90 dollarë në bursa dhe arriti në 250-260 lekë në ditën që ajo shkoi në 130 dollarë. Ndërsa tani që ari i zi ka zbritur në 113 dollarë, karburanti vijon të tregtohet afër niveleve maksimale historike.
Shoqata e Hidrokarbureve e ka shpjeguar rritjen e shpejtë të naftës me faktin që “çmimet nga bazat grosiste dalin çdo ditë me bursën korente dhe marrin rritje graduale te koordinuar me rezervat që ka gjendje në pikat e karburantit me furnizimin e ri, por fatkeqesisht rritja e cmimeve në bursë javen e fundit ka qenë galopante (sqarojmë se rezerva tre mujore që mbahen si mbas ligjit është gjithnjë ne depo fizikisht, por çmimi kurrë nuk mund te mbyllet ose fiksohet vetëm në ditën që hidhet në treg për konsum)”.
Ndonëse rritja e kaburanteve në tregjet ndërkombëtare reflektohet shumë shpejt, përvoja ka treguar se ulja e tyre në tregun vendas është më e ngadaltë, kur e njëjta gje ndodh në bursa./Monitor
GRAFIKU: NAFTA NE BURSA 6 MUAJT E FUNDIT (USD/FUCI)