Saturday, December 21, 2024

Nga vjen qetësia e Lulzim Bashës?

Nga: Skënder Minxhozi

Megjithëse shumëkush e kujtonte si diçka të pamundur, në harkun e dy muajve kryetari i opozitës Lulzim Basha ja ka dalë të presë me sopatën e dardharit thuajse të gjitha degët ku qëndroi i ulur pa bërë zë për tetë vjet me rradhë. Ka prishur më së pari paktin e madh të mossulmimit me Sali Berishën, krijuesin dhe sponsorin e tij historik. Ka hedhur në erë raportet me një dyzinë burra e gra me mandat deputeti në xhep. Ka prerë kokat e drejtuesve të forumit rinor dhe atij të gruas, si dhe ka tashmë kundër një numër jo të vogël zyrtarësh lokalë të Partisë Demokratike, pa llogaritur masën e stërmadhe gri të militantëve, votuesve e simpatizantëve të PD, të cilët e gjejnë veten papritur në krahët e Foltoreve të Berishës.

Cilido që do ta shihte së jashtmi pozitën e Bashës në këto orë, do të konkludonte pa vështirësi se ai e ka vënë në rrezik serioz qëndrimin e tij në krye të partisë pas dhjetëditëshit të parë të dhjetorit. Datë kur do të mbahet kuvendi i shumëpërfolur i demokratëve të zemëruar, që do të kenë vetëm një kryefjalë teksa do të marrin rrugën drejt Tiranës: të sharkojnë sa më parë kryetarin e partisë!

Vjen e natyrshme ndërsa sheh këtë tokë të ndezur që rrethon aktualisht poltronin e Lulzim Bashës, të pyesësh se nga vjen këto orë qetësia e tij olimpike, kur flet për trekëndësha të Bermudës apo kur e quan Berishën tub oksigjeni për pushtetin e Ramës! Pse është kaq i qetë një kryetar që gjysma e selisë e quan publikisht “ish-kryetari”?!

Përgjigja me e parë do të ishte se Basha ka në xhep vulën dhe bravën e derës së PD. Një vizion semplist por efektiv në historinë politike të Shqipërisë pas vitit 1991, ku ka fituar thuajse gjithmonë ai që kontrollonte aparatin burokratik të partisë dhe forumet e ngushta, duke pasur gjithashtu në anën e vet procedurat, rregulloret dhe vendimmarrjet.

Lulzim Basha i ka në anën e vet të gjitha këto. Ka ndryshuar statutin e partisë sipas dëshirave të tij gjatë këtij viti, si dhe ka marrë një fitore të pakontestuar e të papërfolur brenda partisë, edhe nga ata që sot e shajnë e sulmojnë nga Foltoret e Doktorit. Kush mund të jetë i besueshëm sot, që kërkon kokën e Bashës, kur s’ka thënë asnjë fjalë për të vetëm pak javë më parë kur u rizgjodh?! Natyrisht këtu bëjnë përjashtim kritikët e Bashës që u rreshtuan hapur kundër tij pas 25 prillit, atëhere kur Sali Berisha dhe “foltorasit” e tij shihnin në heshtje atë që po ndodhte!

Përgjigja e dytë mund të kërkohet tek imazhet që u përhapën sot në media, para dhe pas takimit të Lulzim Bashës me tre ligjvënës amerikanë. Njeriu që dikur iu thoshte “jo” të prerë të dërguarve nga Uashingtoni thuajse për gjithçka, e ka kthyer sot amerikanizmin në pikën gravitacionale të strategjisë së vet për ta pastruar partinë nga Sali Berisha dhe të gjitha prurjet e tij besnike. Ata që e dinë sa me peshë është ky detaj në jetën politike të Shqipërisë, janë gati të venë një dorë në zjarr, se Basha ndjehet kaq i qetë dhe moskokëçarës për tamtamin e Foltores, pikërisht sepse ka marrë garanci nga SHBA për mbështetje e mburojë në ditët e këqia që shihen në horizont.

Pjesë e kësaj mbrojtjeje mund të jetë edhe një vizitë e afërt që thuhet se po përgatitet për të në Uashington, ndërkohë që marrëdhëniet SHBA-Berisha njohin rekorde negative nga një miting në tjetrin.

Një rrethanë e tretë qetësie, që qarkullon në formë thashethemi, por që në fakt nuk është e tillë, vjen nga qëndrimi i Ramës pro PD së Bashës. Shefi i PS e ka të qartë bejetën tetëvjeçare me Bashën prej nga ka dalë përherë i fituar. Për të Lulzim Basha është një libër i hapur, pa kurthe e surpriza. Qëndrimi në PD i Bashës është për Ramën një garanci e tërthortë se pushteti i tij mund të jetë më i gjatë se mandati i tretë, pasi PD që drejton sot Basha është një parti e dobët dhe pa tharm e shpirt. Një ringjitje e Berishës do të ishte një operacion me disa të panjohura, e Rama si shtetar i lodhur dhe i ngopur nuk i do më surprizat në këtë moshë politike që ka.

A do të jenë këto rrethana të mjaftueshme që Lulzim Basha të mbahet për thonjsh në karrigen e tij deri në 1 janar 2022? A do ta hajë dot gjelin e Vitit të Ri si shef i opozitës, apo do ta shohë veten në pozitën e politikanit që do të vërtitet nëpër gjyqe divorci me Berishën, cili të marrë stemën, cili selinë e cili deputetët?! Të gjitha shanset janë të hapura, pasi gjasat për të dalë fitimtarë i kanë të dy. E vetmja që nuk fiton në këtë garë është vetë partia, që po tendoset e plasaritet nga tërheqja e verbër e litarit e dy kalorësve që tashmë duan vetëm të hedhin përtokë njëri-tjetrin. Seç vjen më pas, qameti u bëftë…

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

LAJME TE TJERA

Më SHUMë