Një 33-vjeçar, i identifikuar si M.T, është arrestuar në Rinas ditën e sotme. Sipas informacioneve të policisë, ky shtetas i cili banonte në Dubai, ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Interpol Pakistan, për veprën penale “Mashtrim publik duke përdorur arsye fetare”.
Njoftimi i policisë
Rinas
Arrestohet me qëllim ekstradimi drejt Pakistanit, një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Rinas, si rezultat i shkëmbimit të informacionit me Interpol Tirana, është arrestuar shtetasi:
M. T., 33 vjeç, banues në Dubai.
Ky shtetas është ndaluar në hyrje të Republikës së Shqipërisë, pasi gjatë përpunimit të detajuar të të dhënave nga shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, bazuar dhe në informacionet e shkëmbyera me Interpol Tirana, ka rezultuar person i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi i tij, me qëllim ekstradimi drejt Pakistanit, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Pakistan, për veprën penale “Mashtrim publik duke përdorur arsye fetare”.