Ish-presidenti dhe nënkryetari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Dmitry Medvedev deklaroi në përvjetorin e parë të ofensivës kundër Ukrainës, se Rusia do të fitojë dhe se është gati të shkojë deri në kufijtë e Polonisë.
Medvedev u shpreh s e ushtarakët ruse po vendosin paqen dhe drejtësinë në tokat që i takojnë Rusisë.
Ndër të tjera, Medvedev tha se është shumë e rëndësishme që të arrihen qëllimet e operacionit ushtarak në Ukrainë.
“Ka një vit që po zhvillohet operacioni special. Një vit që kur ushtarakët tanë rivendosën rendin, paqen dhe drejtësinë në tokën tonë, mbrojnë popullin tonë dhe shkatërrojnë rrënjët e neo-nazizmit. Ata janë heronj. I gjithë vendi i ndihmon ata, duke furnizuar frontin me gjithçka të nevojshme. Fitorja do të arrihet. Të gjithë duam që kjo të ndodhë sa më shpejt. Dhe ajo ditë do të vijë. Ne do t’i kthejmë territoret tona dhe do të mbrojmë me siguri njerëzit tanë, të cilët kanë vuajtur gjatë viteve të gjenocidit dhe granatimeve.
Prandaj, është kaq e rëndësishme të arrihen të gjitha qëllimet e një operacioni special ushtarak. Shtyni sa më shumë kufijtë e kërcënimeve ndaj vendit tonë, edhe nëse këta janë kufijtë e Polonisë. Shkatërroni neo-nazizmin në tokë”, shkroi Medvedev në rrjetin social, Telegram.