Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Xhonson pritet të bëjë të ditur ndihmë të re ushtarake për Ukrainën, gjatë një adresimi para Parlamentit në Kiev të martën, 3 maj.
Paraqitja e tij në këtë institucion do të jetë e para e një lideri të huaj, prej kur Moska ka nisur sulmin e paprovokuar në Ukrainë më 24 shkurt.
Xhonson pritet të lavdërojë forcat ukrainase për rezistencën e tyre, kur të deklarohet përmes video-linkut, si dhe të bëjë të ditur ndihmën prej 376 milionë dollarësh për Kievin, ka thënë zyra e tij.
Mbretëria e Bashkuar tashmë ka dërguar pajisje ushtarake në Ukrainë, duke përfshirë raketa dhe lansuese raketash.
Ndihma e re do të përfshijë pajisje të reja luftarake, sisteme radari dhe mijëra pajisje që mundësojnë shikimin natën.