Qytetarët e Maqedonisë së Veriut po votojnë që nga mëngjesi i së mërkurës në raundin e parë të zgjedhjeve për president të ri të vendit.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSZH), bëri të ditur për mbarëvajtje të procesit zgjedhor, pavarësisht disa pengesave të vogla teknike në disa qendra votuese. Qendrat e votimit u hapën në orën 07.00.
Në garë janë presidenti aktual, Stevo Pendarovski, i cili është propozuar nga koalicioni për “Ardhmëri Evropiane”, që udhëhiqet nga Lidhja Social Demokrate (LSDM).
Opozita maqedonase, që udhëhiqet nga VMRO DPMNE-ja, në zgjedhje merr pjesë me Gordana Siljanovska Davkovën, e cila garoi edhe në zgjedhjet e vitit 2019.
Partitë shqiptare garojnë me dy kandidatë.
Fronti Evropian, nën drejtimin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) garon me Bujar Osmanin, ministrin aktual të Punëve të Jashtme.
Opozita e bashkuar shqiptare, që përbën koalicionin VLEN, merr pjesë në zgjedhje me Arben Taravarin, kryetarin aktual të komunës së Gostivarit.
Pjesë e garës zgjedhore janë edhe Maksim Dimitrievski, kryetari i komunës së Kumanovës, Stevçe Jakimovski, kryetari i qarkut të Karposhit në Shkup, dhe Biljana Vankovska, kandidate e partisë “E Majta”.
Sipas dispozitave ligjore, në raundin e parë është thuajse e pamundur që të zgjidhet presidenti, pasi një kandidat/e duhet të marrë më shumë se gjysmën e votave të të regjistruarve në listën zgjedhore, apo gjysmën e votave të mbi 1.8 milion votuesve.