Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi në konferencën për gazetarët ka folur në lidhje me situatën në Partinë Demokratike.
Ai u pyet se kush e drejton këtë parti sot, ku theksoi se i vetmi institucion që mund ta thotë këtë është Gjykata e Tiranës.
“Këtë do ta themi, sot nuk mund ta themi për sa kohë nuk kemi një nevojë për konfrontim. Informacioni mund të merret në Gjykatën e Tiranës. Ky është i vetmi institucion që mund ta thotë. Ne mund të themi kush ka qenë në zgjedhjet e 6 Marsit por sot nuk mund ta themi dot”, tha Celibashi.
Ai foli edhe për qëndrimin e partive për reformën zgjedhore.
“Sa më shumë ditë kalojnë aq më problematike bëhet situata nga pikëpamja politike. Kjo reflekton në cilësinë e produktit që do të ketë kjo reformë. Partitë janë ato që janë. Kanë atë kulturë të debatit politik.
Nuk marr përsipër të bëj gjykatësin e tyre. Procesi është mirë të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur. Nëse kalon kjo situatë pa bërë asgjë do kalojnë në momentin kur ndryshimet e momentit të fundit do jenë objekt i konfliktit politik”, tha ai.