Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i vizitoi të mërkurën komunat me shumicë serbe në veri të vendit – Mitrovicën e Veriut, Leposaviçin, Zveçanin dhe Zubin Potokun – për, siç tha, të biseduar me udhëheqësit vendës për përmirësimin e marrëdhënieve me qytetarët, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, apo fetare.
“Ne jemi kundër ndarjes së shoqërisë, jemi për barazi. Institucionet tona duhet t’i trajtojnë qytetarët në mënyrë të barabartë dhe t’iu mundësojnë qasje në sistemin institucional”, tha Kurti pas takimit me kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Erden Atiç.
Kryetarët shqiptarë erdhën në pushtet në komunat në veri të Kosovës në fillim të vitit të kaluar përmes zgjedhjeve të cilat u bojkotuan nga popullata serbe dhe partia më e madhe serbe në Kosovë, Lista Serbe.
Kjo çështje ngriti edhe tensionet etnike në maj të vitit të kaluar, të cilat kulmuan më 24 shtator 2023, kur një grup i serbëve të armatosur e sulmuan Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit.
Por, ka kohë që kanë nisur procedurat për shkarkim të kryetarëve të tanishëm, çka do të mund të hapet rruga për zgjedhje të reja në këto komuna.
Kurti ka thënë se gjatë vizitës së tij në veri e ka vizituar edhe vendin në Banjskë “ku ka rënë në pritë” Afrim Bunjaku, rreshteri policor i vrarë në atë sulm.
Për vizitën e Kurtit në komunat e veriut u raportua fillimisht nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit.