Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës për të njohur statutin e Kuvendit të 11 dhjetorit, përfaqësuesi ligjor i Komisionit të Rithemelimit, Ivi Kaso deklaroi se gjykata i ktheu vulën dhe selinë demokratëve duke njohur shkarkimin e Lulzim Bashës dhe Kryesisë.
“Gjykata vendosi t’u kthente demokratëve partinë e tyre, selinë, siglën dhe simbolet e marra peng. Sot gjykata u ktheu demokratëve partinë e tyre, duke njohur Kuvendin e 11 dhjetorit. Gjykata njohu shkarkimin e Lulzim Bashës dhe mosnjohjen e konstituimit të Kryesisë dhe Sekretariatit. U njoh Komisioni i Rithemelimit deri në Kuvendin e ardhshëm të 30 prillit. Është çertifikuar ajo që kemi thënë që firmat ishin aty. Është një vendimarrje e vonuar sepse duhet të ishte marrë para 1 muaji, por më mirë vonë se kurrë”, tha Kaso.
“Që nga data 11 dhjetor, zyrtarisht sot ka vetëm një PD që është e përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit, u pëlqen apo nuk u pëlqen atyre që kanë bërë tymnajë. Nuk ka asnjë kërkesë të ish-përfaqësuesve të PD për bashkimin e çështjeve. Janë çështje të ndryshme që gjykohen nga gjyqtarë të ndryshëm. Dhe nuk ka kërkesë për regjistrimin e Kuvendit të 18 dhjetorit. Janë pra çështje të ndryshme. Ankimi i paraqitur dje nga ish-përfaqësuesit e PD tashmë pa tagër, nuk ndikon në shqyrtimin e çështjes së Kuvendit të 11 dhjetorit. Duhet të qartësoheni se shqyrtimi i çështjes së sotme nuk pengohet nga shqyrtimi i asnjë çështjeje tjetër,” tha Kaso.