Izraeli ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të vendosë sanksione ndaj Iranit, pasi forcat e Republikës Islamike kanë “kapur” një anije mallrash në ngushticën e Hormuzit.
Ministri izraelit i Punëve të Jashtme, Israel Katz deklaroi se Garda Revolucionare e Iranit duhet të shpallet organizatë terroriste, shkruan Sky News.
“Regjimi i Ayatollah i Khameneit është një regjim kriminal që mbështet krimet e Hamasit dhe tani po kryen një operacion pirat në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. I bëj thirrje Bashkimit Evropian dhe botës së lirë që të shpallin menjëherë trupat e Gardës Revolucionare iraniane një organizatë terroriste dhe të sanksionojnë Iranin tani”, theksoi ai.
Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur anije luftarake në pozicione për të mbrojtur jo vetëm Izraelin, por forcat e veta në Lindjen e Mesme, mes shqetësimeve në rritje se Irani mund të nisë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj shtetit hebre.